19 Prill 2024

KMDLNJ: Termokosi po sillet me papërgjegjësi ndaj qytetarëve

Prishtinë, 5 janar - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka shkruar një letër të hapur Kryetarit te Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, lidhur me problemin e ngrohjes së Prishtinës.

Në këtë letër thuhet:

“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është shqetësuar thellë me gjendjen e furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës e posaçërisht për institucionet edukative, shëndetësore etj.

Një gjendje e tillë për aq sa është e pashpjegueshme nga aspekti i mendjes së  shëndoshë është edhe më e papranueshme në aspektin njerëzor. Dhe krejt kjo është pasojë e papërgjegjësisë së menaxhmentit të ngrohtores së qytetit “Termokos”!


Ka disa vite që kjo ngrohtore nuk po arrinë të ofrojë furnizim me ngrohje për qytetarët e Prishtinës. Kjo ndërmarrje jo vetëm që nuk po arrin të ofrojë shërbimin që është e detyruar ta ofrojë por menaxhmentit i saj po sillet me papërgjegjësi përballë qytetarëve dhe institucioneve vitale të qytetit të Prishtinës. Kërcënimet me ngritje çmimi, shkyçje kolektive, ndërprerje të menjëhershme, kërkesa për para nga buxheti publik për KMDLNj paraqesin veprime shantazhi për qytetarin si dhe për institucionet e vendit në nivel lokal ( komunën që e drejtoni Ju ) dhe në nivelin qendror (Qeverinë e Republikës së Kosovës ).

Mund të llogaritet si ”koincidencë e rastit “ mirëpo “ Termokos” këto veprime shantazhi i ndërmerr në kohën e të ftohtit më të madh dhe kur qytetarët nuk janë në gjendje të sigurojnë mënyra të tjera për ngrohje!


Ndarja e mjeteve emergjente nga Komuna dhe Qeveria për  këtë Ndërmarrje, në kohën kur është kulmi i kohës së dimrit nuk është zgjidhje.

Madje, vetëm sa e përforcon bindjen e përgjegjësve të kësaj ndërmarrjeje se me kërcënim për ndërprerje të furnizimit me ngrohje qenka e mundur të sigurohen mjete financiare!

Ky është një precedent negativ dhe i dënueshëm! Kjo për faktin që edhe pas ndarjes së mjeteve nuk ka përmirësime në ngrohjen e qytetarëve.

Po ashtu ndarja e mjeteve vetëm për institucione shkollore dhe shëndetësore nuk ka arrit që të sigurojë që ato mjete do të përdorën për këtë qëllim.

Termokos ka dështuar të ofrojë ngrohje edhe për QKU për të cilën thuhet se ka sistem të veçantë të ngrohjes e lëre më për konsumatorët e tjerë familjarë. Kjo lë të kuptohet se ky menaxhimet nuk ka aspak përgjegjësi për obligimet që ka përballë konsumatorëve primarë.
KMDLNj konsideron se është diskriminues propozimi juaj se do të ndani mjete vetëm për ngrohje të institucioneve parashkollore, shkollore dhe shëndetësore! Për shkak të moshës dhe kapaciteteve pranuese nuk mund të shkojmë të gjithë në këto institucione ( institucione shkollore) apo ato shëndetësore vetëm për të shpëtuar nga ngrirja për shkak të acarit siberian!

Gjatë vitit 2010 nga mediat e shkruara janë ofruar fakte për paga të shumëfishta të drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje. Nëse kjo ndërmarrje punon me humbje dhe nuk ofron shërbime për konsumatorë është e dyshimtë dhe shumë e pamoralshme marrja e pagesave të dyfishta.

KMDLNj mendon se edhe çmimi i ngrohjes është shumë i lartë nëse kemi parasysh gjendjen ekonomike-sociale të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Prishtinës.. Po ashtu edhe Termokos nuk ka arrit që të krijojë politika për të arkëtuar borxhet që konsumatori ka ndaj kësaj ndërmarrjeje. Mirëpo, me këtë kjo ndërmarrje ka ndëshkuar edhe konsumatorët që bëjnë pagesë të rregullt të ngrohjes. Është e pakuptueshme që kjo ndërmarrje nuk angazhohet

të gjejë zgjedhje teknike për të ofruar ngrohje për paguesit e rregullt të ngrohjes. Arsyetimet se kjo është e pamundur nuk mund të pranohen për faktin që nuk duket të ketë pasur angazhim konkret për të gjetur zgjedhje teknike.

KMDLNj gjithashtu ka kërkuar dhe kërkon që konsumatorët të paguajnë borxhet për ngrohje. Për këtë arsye kërkon që të formohet një njësi e veçantë e gjyqësorit e cila do të merrej vetëm me borxhet e pashlyera ndaj KEK-ut, PTK, Ujësjellësit dhe “ Termokos”-it. Kjo është zgjidhje që do ta rrisë shkallën e inkasimit.

Sipas kornizës ligjore me  Termokosin menaxhon Komuna e Prishtinës. Për këtë arsye Z. Kryetar është e domosdoshme që të ndërmerrni masa për të gjetur zgjidhje për problemin e ngrohjes.

Papërgjegjësia e kësaj ndërmarrje është njëkohësisht edhe papërgjegjësi e institucioneve  mbikëqyrëse të Komunës së Prishtinës!

KMDLNj Ju fton që të ndërhyni në këtë çështje e cila seriozisht rrezikon mirëqenien dhe shëndetin e qytetarit të Prishtinës. Komuna duhet të ndërhyjë jo vetëm për të ofruar ngrohje për qytetarë dhe institucionet publike por edhe për të ngritur kualitetin e shërbimit të kësaj ndërmarrjeje publike dhe sidomos duhet kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga menaxhmenti i saj.

Dorëheqja për keqmenaxhim është akt moral dhe nëse në këtë rast nuk llogaritet si e tillë e duket se nuk po llogaritet, atëherë shkarkimi I atyre që udhëheqin keq këtë ndërmarrje është detyrim ligjor! Si dhe detyrim moral ndaj qytetarëve të Prishtinës që kanë votuar për Ju. Por edhe të tjerëve. KMDLNj shpreson në mirëkuptimin tuaj” thuhet në letrën e hapur të Bordit të KMDLNj –së, që e ka nënshkruar Behxhet Sh. SHALA, drejtor ekzekutiv.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)