25 Maj 2022

Kërkohet furnizim i rregullt me ujë të pijes në Prizren

Prizren, 12 janar - Furnizimi me ujë të pijes në qytetin e Prizrenit së fundmi po realizohet me aplikimin e reduktimeve ka njoftuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”. Kjo kompani ka njoftuar konsumatorët se për shkak të kushteve të pavolitshme atmosferike që kanë mbretëruar për një kohë të gjatë janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme kapacitetet ujore në burimet potenciale të ujit, dhe se kriza aktuale energjetike ka vështirësuar edhe më shumë furnizimin, marrë parasysh faktin që uji i pijes sigurohet kryesisht përmes elektropompimit. Javën e kaluar është publikuar orari i reduktimeve me zgjerim në zonat e ndryshme të qytetit.

Por aplikimi i këtyre reduktimeve ka shkaktuar pakënaqësi te banorët. Madje qytetarët e lagjes “Bajram Curri” këtë pakënaqësi e kanë shprehur përmes protestës së mbajtur ditën e hënë, para zyrave të “Hidroregjionit Jugor”, duke kërkuar zbutjen e reduktimeve.

EC Ma Ndryshe gjatë vitit 2021 ka realizuar një numër të madh takimesh me banorë të lagjeve të ndryshme në Komunën të Prizrenit dhe pothuajse në secilin takim problemet me furnizimin me ujë të pijes janë shfaqur si parësore. Njëkohësisht edhe gjatë monitorimit të diskutimeve publike për planifikimin buxhetor të Komunës së Prizrenit për vitin 2022, kërkesa për ujin e pijes ka qenë njëra prej kërkesave të shprehura gati në secilin takim.

EC përkujton se uji i pijes sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara është thelbësor për realizimin e të gjitha të drejtave të njeriut. Furnizimi me ujë është domosdoshmëri për një shëndet më të mirë dhe për dinjitet njerëzor, dhe si i tillë paraqet një të drejtë që duhet të promovohet. E drejta për ujë të pijes nënkupton të drejtën e të gjithë njerëzve që të kenë qasje në ujë të mjaftueshëm, të sigurt, të pranueshëm, fizikisht të qasshëm dhe të përballueshëm për përdorim personal dhe shtëpiak.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që çështjen e ujit të pijes ta trajtojë me seriozitet të madh, në mënyrë që të sigurohet furnizimi i rregullt me ujë të pijes dhe brenda kushteve higjiene-sanitare për të gjithë banorët e Komunës së Prizrenit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 maj 2022

- Mbahet mbledhja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 9:00)


- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë. (Landovicë, ora 9:30)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.  (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për vitin 2022, nën udhëheqjen e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. (Objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon punëtorinë me organizatat e Shoqërisë Civile, me temën, “Bashkëpunimi me organizatat e Shoqërisë Civile në edukimin dhe informimin e votuesve në të ardhmen”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- EC Ma Ndryshe dhe Organizata e Personave me Distrofi Muskulore e Kosovës organizojnë aktivitetet që do të mbahen për nder të shënimit të ”Javës së Distrofisë 2022”. (Para Administratës Komunale në Prizren, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në varrezat e dëshmorëve: Bekim Sylka, Besim Kabashi dhe Avni Thaçi. (Rahovec, ora 10:30)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe te Lapidari i Dëshmorëve në Gorozhup. (Gorozhup, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorit të kombit Bekim Sylka në Hamoc. (Hamoc, ora 11:00)

- Një grup i qytetarëve protestojnë për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 12:00)  

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të Operacionit Shigjeta. (Majen e Pashtrikut, ora 12:00)

- Mbahet ceremonia solemne e nderimit me çmimin “Honor Degree - Excellence Leadership Award” të dy personaliteteve të shquara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema dhe  Christopher Hyland. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 14:00)

- Zhvillohet ndeshja finale Drita- Llapi. (Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ora 20:00)