19 Prill 2024

KEK-u premton rrymë për festat e fundvitit

Prishtinë, 22 dhjetor - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë me dije se për ndërrimin e moteve do të sigurojë energji elektrike të mjaftueshme.

Zëdhënësi i kësaj korporate, Viktor Buzhala, ka thënë për gazetën se KEK-u gjatë verës ka dërguar në riparim të gjitha njësitë që mund të prodhojnë energji elektrike.

“Tashmë janë të gatshme njësitë B1 dhe B2 të TC ‘Kosova B’ dhe njësitë A3, A4 dhe A5 të TC ‘Kosova A’. Njësitë B1 dhe B2 prodhojnë 10 për qind më tepër pas ndërrimit të rotorëve të turbinës, apo njëjtë sikur në kohën kur kanë qenë fringo të reja, para 26, përkatësisht 27 vjetësh”, ka thënë Buzhala.

Sipas tij, kapaciteti total shkon në 950 megavat/orë, por një bllok i TC “Kosova A” rri vazhdimisht rezervë për shkak të vjetërsisë së këtyre blloqeve, ndikimit në ambient dhe rritjes së sigurisë së prodhimit.
Kurse sa u përket çështjeve për importimin e energjisë, Buzhala ka sqaruar se KEK-u ka edhe tri lloje të kontratave afatgjata për import të energjisë elektrike, përkatësisht për energji elektrike të moduluar (nga ora 7:00-23:00), për energji elektrike të kohës së pikut (orët e konsumit maksimalë) dhe për energji emergjente (në rast të situatave të papritura).

“Kur them afatgjata, kjo nënkupton se vazhdojnë deri më 31.12.2011, ndërsa importi afatgjatë për të tri llojet e energjisë vazhdon sërish të plotësohet në bazë të tenderëve të hapur”, ka theksuar Buzhala, duke shtuar se KEK-u ka rritur edhe bashkëpunimin me kompanitë simotra në rajon për rritjen e fleksibilitetit të shkëmbimeve energjetike.

“Jemi mjaft të përgatitur. Kjo është një përgatitje në vazhdën e përmirësimeve të mëtutjeshme që janë bërë vazhdimisht kohët e fundit. Tash ata që i paguajnë faturat kanë energji elektrike, ndërsa ata që nuk i paguajnë apo e keqshfrytëzojnë rrymën, nuk do të kenë, sepse do të jenë të shkyçur nga rrjeti elektrik i KEK-ut”, ka potencuar ai.
 
(Gazeta  EPOKA E RE)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)