28 Mars 2024

KEK-u ka për qëllim trajtimin e barabartë të konsumatorëve

Prishtinë 13 shtator - Në takimin e sotëm të  Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,  Tregti dhe Industri, me ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, përfaqësuesin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ali Hamiti, përfaqësuesin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjuka, me Berat Rukiqin, nga Oda Ekonomike e Kosovës(OEK) si dhe Agim Shahinin nga Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) u bisedua për çështjen që lidhen me sektorin e energjisë elektrike.    

Fillimisht, kryetari i Komisionit shtoi se rëndësia e takimit është edhe më e madhe nga që jemi në prag të sezonit dimëror, duke  shtuar në vijim se ky takim është rast i mirë për t’u sqaruar lidhur me masat më të reja të MZHE-së për konsumatorët e energjisë elektrike në kategorinë “A +”.

Lidhur me këtë, ministri i MZHE-esë, Besim Beqaj sqaroi se konform kompetencave që ka ministria, i janë qasur problemit të energjisë, duke u bazuar në Ligjin për efiqiencën e energjisë. Ai më tej dha një pasqyrë të gjerë mbi sektorin e energjisë, duke shtuar se ministria është duke u marrë intensivisht me ristrukturimin e KEK-ut.

Duke folur për masat më të reja për konsumatorët e energjisë, e që i përkasin kategorisë “A+”, nga të cilët kërkohet parapagimi prej 25%, Beqaj tha se kjo masë aplikohet që nga viti 2005.

Por, vazhdoi ai, ndryshimi qëndron në atë se para këtij vendimi këta konsumatorë kanë paguar vetëm tre faturat e fundit të energjisë, gjë që, sipas

tij, s’ka qenë e mjaftueshme për tu ranguar në kategorinë e konsumatorit prioritar. Këtë masë, tha ministri, e kemi marrë vendim ta aplikojmë për të zvogëluar humbjet komerciale, duke shtuar se një numër i madh i bizneseve janë rikualifikuar me masat e reja.

Ai në vijim foli për procesin e privatizimit, për bashkëpunimin me Bankën Botërore (BB) si dhe për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Lidhur me këtë ai tha se nuk bëhet fjalë për privatizim, siç interpretohet, por për partneritet publiko-privat.

Ministri foli edhe për remontin që aktualisht është duke u bërë në korporatën energjetike. Remonti, i cili do të zgjasë deri në fund të muajit nëntorë ka shkaktuar çrregullim me furnizim të energjisë, tha ministri.

Një ndër objektivat e MZHE-esë, Beqaj theksoi edhe përkushtimin e ministrisë për unifikimin dhe funksionimin  e plotë të korporatës në tërë territorin e Kosovës. Ndërkaq, kompensimin për energjinë e harxhuar nga konsumatorët, ministri e vlerësoi parakusht për furnizim të mirëfilltë me energji elektrike. 

Përfaqësuesi i ZRRE-së, Ali Hamiti, i cili qartësoi se vendimi i ministrisë për masat e reja është marrë në bashkëpunim të ngushtë edhe në mes të KEK-ut, sqaroi se KEK-u është furnizues publik me energji elektrike i cili ka për qëllim trajtim të barabartë të konsumatorëve. Duke aluduar në masat e reja të ministrisë për kategorinë “A+”,  Hamiti shtoi se kur dikush dëshiron të jetë” më i barabartë se i barabarti”, duhet paguar.

Edhe përfaqësuesi i KEK-ut, Arben Gjukaj, lidhur me masat e reja të vendosura për këtë kategori tha se KEK-u ka pasur për qëllim trajtimin e barabartë të konsumatorëve. Gjukaj po ashtu tha se KEK-u në bashkëpunim me ZRRE-në janë duke u kujdesur që çmimi i energjisë të jetë i përballueshëm për konsumatorët.

Ndërkaq, Berat Rukiqi, nga OEK-u, tha se ndonëse në tre vitet e fundit furnizimi me  energjinë elektrike s’ka qenë pengesë kryesore në zhvillimin e biznesit në Kosovë, pati vërejtje lidhur me masën e 25% të paradhënies për energjinë, ashtu siç është paraparë me rregulloren e re për konsumatorët me status të privilegjuar.

Edhe kryetari i AKB-së, Agim Shahini kritikoi këtë masë të vendosur nga ministria. Ky vendim tha Shahini, është unilateral dhe është kundër parimeve të reciprocitetit.

Lidhur me këto vërejtje, përfaqësuesi i KEK-ut dhe ZRRE-së preferuan të bëhen marrëveshje kontraktuale me të gjithë ata që dëshirojnë të furnizohen me energji sipas rregullores së re, e të cilët ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune.

Në fund të diskutimeve, Komisioni vendosi që në mbledhjen e radhës të nxjerrë konkluzionet nga ky takim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)