06 Shkurt 2023

Java për Zhvillim të Qëndrueshëm synon zbatimin e Agjendës së Gjelbër

Prizren, 31 maj - Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, BE-së, Ambasadës Gjermane, GIZ-it, INDEP-it dhe Balkan Green Foundation kanë nisur sot në Prizren në Parkun e Inovacionit dhe Teknologjisë edicionin e pestë të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), e cila synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë ngjarje fjalime mbajtën akterë të rëndësishëm institucionalë vendor dhe ndërkombëtare, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin, Albin Kurti, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanoli, ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe drejtori ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi.

Presidentja Osmani theksoi nevojën e zbatimit të veprimeve që dalin nga Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, në fjalën e saj të mbajtur përmes një video-mesazhi.

“Kosova jonë ka nevojë për më shumë energji të gjelbër, investime në efiçiencë të energjisë, trajtim të qëndrueshëm dhe ulje të gjenerimit të mbeturinave, mbrojtje të mjedisit, qytete të jetueshme dhe transport inteligjent – por, mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për ajër të pastër dhe qytetarë të shëndetshëm”, tha Presidentja Osmani.

Kryeministri, Albin Kurti, theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm, duke thënë:” Pandemia Covid-19, e tani edhe lufta në Ukrainë e kanë vërtetuar se sa i cënueshëm është sistemi global i ushqimit, prandaj kjo kërkon përgatitje dhe veprime urgjente që të parandalojmë një krizë të radhës.

Megjithatë, këto kriza nuk duhen assesi të na pengojnë për të avancuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.”

“Pavarësimi nga gazi e lëndët tjera me bazë fosile, si dhe shtimi i përpjekjeve për të kursyer energji, për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të ndërtuar kapacitete të reja të energjisë janë bërë më të rëndësishme së kurrë. Të gjitha këto janë pjesë e përpjekjeve dhe objektivave tona, si dhe të Bashkimit Evropian”, tha Ministrja Rizvanolli.

BE-ja ka mbështetur aktivitetet e KSDW që nga viti 2018, duke promovuar prioritetet e BE-së për mbrojtjen e mjedisit, dekarbonizimin dhe tranzicionin në energjinë e gjelbër. Gjithashtu, BE-ja ofron mbështetje financiare dhe ekspertizë.

“BE-ja në Kosovë po bashkëorganizon këtë ngjarje me GIZ-in, Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për të mbështetur zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, tha Szunyog.

“Këtë vit po fokusohemi në burimet dhe shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme. Tranzicioni në energjinë e gjelbër në Kosovë dhe rajon ka rëndësi shumë të madhe. Kosova duhet të përafrohet me Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe planin e saj të veprimit, të miratojë rregulloren e parimit ndotësi paguan, si dhe të shtyjë më tej dhe zbatojë efektivisht legjislacionin ekzistues mjedisor. BE-ja është këtu për të ofruar mbështetjen e saj.”

Duke folur në emër të Qeverisë Gjermane, Ambasadori Rohde tha: “Gjermania mbështet tranzicionin energjetik drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën. Dy momente të rëndësishme janë arritur me mbështetjen e Gjermanisë në Kosovë këtë vit: inaugurimi i parkut me erë në Selac - një investim gjermano-izraelit - si dhe fillimi i projektit #Solar4Kosovo.”

Drejtori Ekzekutiv i INDEP-it, z. Ejupi shprehu mirënjohjen e tij për BE-në, GIZ-in dhe institucionet e Kosovës për mbështetjen e tyre në avancimin e dialogut publik për çështjet e qëndrueshmërisë.

“Më vjen shumë mirë të dëgjojë që ka edhe vullnet politik që do të zhvillohet në vendin tonë të vendosë fokusin në drejtimin e obligimeve që kam marrë me nënshkrimin e Deklaratës së Sofjes. Agjenda e gjelbër duhet të shndërrohet në prioritet për të gjithë ne”, tha z. Ejupi.

Ngjarja hapëse përfshiu gjithashtu edhe shfaqjen e filmit "Run for Sharr", i krijuar nga Fondacioni Utalaya e Kosovës. Producentja e filmit, Flutura Uta Ibrahimi përshëndeti të pranishmit duke theksuar se Kosova ka një pasuri të madhe natyrore, veçanërisht në malet e Sharrit, të cilat duhet të mbrohen dhe ruhen nga të gjithë.

“Në përvojën time 15 vjeçare të eksplorimit të çdo cepi të Sharrit, kam ndjerë një përgjegjësi të thellë në shpirtin tim për të mbrojtur Sharrin dhe mbi të gjitha, për t'ju bërë pjesë të kërkimeve të mia në mënyrë që të keni një ndjenjë më të afërt se sa madhështor mund të jetë me të vërtetë Sharri, por edhe sa i kërcënuar është nga, ne, njerëzit. Unë nuk jam regjisore, por kam mbledhur një ekip njerëzish që me të vërtetë e mbështesin dhe e jetojnë këtë kauzë çdo ditë, dhe mendoni se çfarë dokumentari doli – shumë emocionues dhe i sinqertë. Nuk do t'ju marrë shumë nga koha juaj, por ky padyshim do të shërbejë si një kujtesë se sa me fat dhe të bekuar jemi, që kemi Malin Sharr, një trashëgimi natyrore që ne zotërojmë. Ju inkurajojmë të gjithëve që të bëni një ndryshim duke e mbrojtur atë.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)