19 Prill 2024

IFC do të auditohet për përfshirjen në privatizimin e rrjetit energjetik

Washington, 24 maj - Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), kredidhënësi i sektorit privat të Grupit të Bankës Botërore, ka ofruar këshillim për Qeverinë e Kosovës se si të privatizojë sektorin e saj të energjisë.

Projekti i IFC-së është pjesë e një angazhimi më të madh të Bankës Botërore, i cili gjithashtu përfshinë zhvillimin e një termocentrali dhe minere të re të thëngjillit.

Vendimi i Ombudspersoni i Ankesave rreth Përshtatshmërisë (CAO) –mekanizmit i pavarur për ankesa i IFC-së - për të audituar përfshirjen e IFC-së në projekt vjen si rezultat i ankesës nga Sindikata e Pavarur e Energjisë së Kosovës në Gusht të vitit 2011.

Paneli Inspektues i Bankës Botërore, muajin e kaluar ka pranuar një ankesë në lidhje me minierat e thëngjillit dhe termocentralin.  
  
Kërkesa e bërë nga Sindikata e Pavarur e Energjisë së Kosovës (SPEK) ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me dështimin e IFC-së për të marrë parasysh pasojat në fuqinë punëtore dhe pasojat e dhunimit të politikave ambientale dhe sociale të saj.

Është vlerësuar se privatizimi i rrjetit të energjisë energjetike në Kosovë do të rezultojë në zvogëlimin e 30% të punëtorëve në tre vitet e para të implementimit të projektit.

Përveç kësaj, ky projekt do të kontribuojë në krijimin e një monopoli, duke rrezikuar aftësinë e Kosovës për të siguruar konkurrencën në këtë fushë në të ardhmen, ashtu siç kërkohet nga rregullat për konkurrencë të BE-së për tregun e energjisë.

Për më tepër, privatizimi i rrjetit të energjisë do të shkaktojë rritjen drastike të tarifave të energjisë, duke e bërë më të vështirë qasjen në energji të përballueshme për qytetarët në vendin më të varfër të Evropës.

CAO ka vendosur të auditojë projektin për të përcaktuar nëse IFC mund të sigurojë që ndikimet dhe rezultatet e projekteve të Shërbimeve Këshilluese të saja të jenë në harmoni me politikat e saj. 

“SPEK është shumë i kënaqur me vendimin e CAO-s për auditimin e punës së IFC-së në këtë projekt. Ne jemi të bindur se politika të caktuara të IFC-së që janë në fuqi, nuk janë implementuar si duhet në këtë projekt. Ne shpresojmë se auditimi do të theksojë mangësitë e projektit dhe se IFC do të ndërmarrë masat e nevojshme që duhen ndërmarrë për të zgjidhur problemet që dalin nga implementimi i projektit në kohë të duhur në Kosovë, si dhe të informojë për angazhimet e saj në projektet e ngjashme në të ardhmen,” tha Izet Mustafa nga Sindikata e Pavarur Energjetike e Kosovës (SPEK).

Organizatat Kosovare të Shoqërisë Civile kanë mbështetur ankesën. Nezir Sinani nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) vë në dukje se “përfshirja e IFC-së në projekt është bërë pa hulumtim adekuat. Si rrjedhojë ne mbështesim vendimin e CAO-s për të audituar IFC-në për mënyrën sesi ata janë duke punuar në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim SPEK-un gjatë gjithë kohës, deri në një vendim final të auditimit.“
 
Chad Dobson, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën Informative të Bankës (BIC), theksoi se “Komunitetet nuk e dinë se IFC shfrytëzon fondet e tij për të ofruar këshillim në sektorin publik dhe privat nëpërmjet Shërbimeve të Këshillimit të tij. IFC nuk ofron shumë informacion mbi projektet e Shërbimeve të Këshillimit dhe ofron akoma më pak informacion mbi ndikimet ambientale dhe sociale të tyre.”

Më tej Dobson thotë, “është inkurajuese të shohësh vendimin e CAO-s për të ndërmarrë auditimin për këtë projekt që do të ketë implikime të mëdha për të gjitha projektet e Shërbimeve të Këshillimit të IFC-së.” 

Banka Botërore është angazhuar gjithashtu në mbështetjen e Kosovës në planin e saj për të ndërtuar një termocentral të ri me thëngjill dhe për të privatizuar termocentralin ekzistues. Ky projekt do ta lidhte vendin në prodhimin e energjisë nga thëngjilli për 40 vitet e ardhshme. Si rezultat, ky projekt është kundërshtuar fuqishëm nga Organizatat e Shoqërisë Civile Kosovare.

Bankës i është kërkuar të zhvendosë qasjen e Kosovës nga investimi në thëngjill drejt diversifikimit të tregut të saj të energjisë dhe investimit në energji të ripërtërishme dhe në efiçiencë të energjisë.   

“Banka Botërore duhet të bëhet përgjegjëse në dështimin e saj për të implementuar politikat e saja, të hartuara për të mbrojtur komunitetet lokale, si ato në Kosovë“ tha Niranjali Amerasinghe nga Qendra për të Drejtën Ndërkombëtare Ambientale. “Ky projekt do të rrisë në mënyrë të dukshme jetëgjatësinë e gjenerimit të energjisë së ndotur në Kosovë, duke rezultuar në shkatërrimin e ambientit dhe pasoja në shëndetin e banorëve të asaj zone që tashmë është e ndotur rëndë.”

“Banka Botërore është duke kufizuar progresin ekonomik dhe ambiental të Kosovës duke subvencionuar projekte të vjetruara, ndotëse, dhe të rrezikshme me lëndë djegëse fosile,” shtoi Justin Guay nga Sierra Club. “Ish shefi i energjisë së pastër i Bankës Botërore, Dan Kammen ka treguar qartë se energjia alternative krijon më shumë vende pune sesa termocentrali me thëngjill të ndotur që grupi i Bankës Botërore po e shtynë përpara.”

Projekti do të rezultojë me rritjen e ndotjes në këtë vend të vogël. Ndotësit është vërtetuar se shkaktojnë ose kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve serioze kardiovaskulare dhe të rrugëve respiratore si sëmundje të zemrës dhe asmën e po ashtu çrregullime neurologjike dhe ngecje zhvillimore që do të kenë pasoja direkte te komuniteti.

Përveç nivelit të lartë të ndotësve toksik që do të prodhoheshin nga ky termocentrali i propozuar, projekti do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm edhe në ujë - një sfidë më tepër për një ambient që tashmë ka vështirësi për furnizimin me ujë të pijshëm.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)