24 Tetor 2021

Fillon furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje

Prishtinë, 11 tetor - Pasi janë përcjellë me kujdes lëvizjet e temperaturave të ajrit, dhe pas përkeqësimit të motit, NP “Termokos” Sh.A, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje.

Fillimin e furnizimit me ngrohje e ka nisur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka uruar për një sezon të mbarë ngrohës.

Ai ka falenderuar menaxhmentin e NP “Termokos” dhe gjithë punëtorët për angazhimin dhe kontributin, që kanë dhënë për funksionimin e ndërmarrjes.

“Unë gjithmonë e kam përmendur “Termokos”-in si një storie suksesi”, ka thënë kryetari Ahmeti optimist për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve dhe të ndërmarrjes.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu ka falenderuar kryetarin Ahmeti për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve.

Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë. Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit tek konsumatorët tanë.

Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celzius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje.

Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2020/2021, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)