16 Prill 2024

BGF prezanton masat për Dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes në Kosovë

Prishtinë, 24 nëntor - Balkan Green Foundation (BGF), me mbështetjen e Fondacionit Heinrich Boll, organizoi tryezën e diskutimit me temën: "Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë".

Në tryezë u prezantua punimi diskutuar për këtë sektor i cili përmban edhe praktikat më të mira të përdorura nga vendet e Evropës dhe të rajonit - të cilat duhet konsideruar të adaptohen edhe në Kosovë në mënyrë që të përmirësohet gjendja e sektorit të ngrohjes në vend.

Visar Azemi, Drejtor Ekzekutiv i BGF, tha se “Kosova është në fazën e hartimit të Strategjisë së Energjisë, dokument ky i cili tani më shumë se kurrë do të duhej të prezantonte hapa të guximshëm të dekarbonizimit të sektorit të energjisë (përfshirë ngrohjen), në mënyrë që ndikimi në mjedis dhe shëndet të jetë më i vogël”.

Azemi gjithashtu u shpreh se “E ardhmja padyshim që është drejtë formave të qëndrueshme të ngrohjes të cilat janë miqësore me mjedisin, këto gjithnjë e më tepër po mundësohen falë teknologjisë së re dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë të cilat po bëhen gjithnjë e më të lira.”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “ngritja e vetëdijes në lidhje me shpenzimin e energjisë është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndodhë në mënyrë që të rritet kursimi i energjisë, kjo në mënyrë që të mos reflektoj në tarifa për vitin e ardhshëm, të ndryshohet sjellja e qytetarëve, në mënyrë që të lirohet më pak ndotje dhe të ketë më pak ajër të ndotur.”

Për më tepër, Ministrja potencoi që “rishikimi i Strategjisë së Energjisë që do të ndodhë së shpejti do të ketë fokusin kryesor në dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë. Shembulli i ngrohtores së Gjakovës si pilotprojekt është me rendësi, sepse zëvendësimi i lëndës djegëse, mazutit, me biomasë zvogëlon emetimet e dioksidit të karbonit nga 49 mijë ton në 615 ton, do të thotë është një dallim shumë i madh”.

Ministrja theksoi se “së shpejti do të bëhen studime fizibiliteti për ngrohtore të ngjashme edhe në qendrat kryesore të Kosovës dhe do të shihet nëse shembulli i Gjakovës do të mund të replikohet që do të ishte një gjë shumë e mirë për dekarbonizimin e ngrohjes në vend”.

Arven Syla dhe Besfort Kosova, bashkë-hartues të analizës “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë - Praktikat më të mira”, ndër të tjera theksuan se “mekanizmat kryesorë që përdoren për ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të ngrohjes mund të ndahen në këto instrumente:  mekanizmat financiarë - programe stimujsh, politika tatimore, rritje e ndërgjegjësimit, standardet për pajisjet me djegie, ndalimet dhe kufizimet e përdorimit të karburantit të ngurtë dhe  standardet e kërkesave minimale.”

 Ata gjithashtu theksuan se ‘vendet që po aplikojnë këto mekanizma kanë mbështetur vetëm teknologjitë energjetike që janë të qëndrueshme dhe ofrojnë efiçiencë të lartë energjetike.

Teknologjitë e mbështetura të energjisë së qëndrueshme janë: Pompat e Nxehtësisë, kaldaja dhe pajisjet me efiçiencë të lartë, sistemet diellore termike dhe rinovimi i ndërtesave me material të standardizuar’.

Për më tepër, në tryezën diskutuese u përmend rëndësia urgjente e ndalimit të ngrohjes nga thëngjilli për amviseritë dhe bizneset dhe shfrytëzimi i metodave të tjera të ngrohjes të cilat janë më pak të dëmshme, për vetë përdoruesit e këtyre burimeve të nxehtësisë dhe për komunitetin dhe mjedisin përreth.

Diskutimi i hapur me të pranishmit theksoi se rruga drejt dekarbonizimit të sektorit të ngrohjes do të jetë sfiduese, veçanërisht, nëse nuk ndërmerren masa tani, situata mjedisore dhe shëndetësore vetëm do të përkeqësohet.

Diskutimi u përcoll edhe me prezantime të shumta të pikëpamjeve nga pjesëmarrësit të cilët potencuan rëndësinë e dekarbonizimit, jo vetëm në relacion me alternativat ekzistuese për ngrohje dhe opsionet që qytetarët kanë por edhe në relacion me shëndetin e qytetarëve.

U diskutua edhe mbi rëndësinë e prejardhjes së energjisë, të cilat edhe mund të duken më të mira dhe më miqësore me mjedisin ndërsa mbrapa kanë forma të paqëndrueshme të prodhimit dhe emetimit dhe të cilat kërkojnë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.

Kjo tryezë diskutimi, e nivelit të lartë u realizua në kuadër të projektit “Bashkëpunimi shumëpalësh për aksionin e transformimit të mjedisit”, me mbështetje të Fondacionit Heinrich Boll.
-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)