26 Shtator 2021

Amnistimi i degraduesve të mjedisit

Prishtinë, 9 shtator - Mjedisi në Kosovë u dëmtua jashtëzakonisht shumë në dy dekadat e fundit. Sipërfaqe të mëdha të pyjeve u prenë në mënyrë ilegale, qindra hektarë të shtretërve të lumnjve u degraduan nga eksploatuesit ilegalë të rërës dhe zhavorrit si dhe shumë kodra, male dhe vende tjera u degraduan nga gurthyesit.

E gjithë kjo ka ndodhur ndër vite para syve të institucioneve shtetërore, të cilat nuk e kishin sa duhet prioritet mbrojtjen e mjedisit, e as ndëshkimin e atyre që i shkaktuan këto dëme.

Në të shumtën e rasteve degraduesit e mjedisit ia kanë hedhur lehtë. Një pjesë e madhe e tyre nuk janë zënë nga inspektorët duke operuar ilegalisht, e një pjesë e vogël që janë zënë, kanë shpëtuar pa u ndëshkuar sa duhet. Ata janë ndëshkuar me dënime të vogla, shumëfish më pak sesa dëmi që e kanë shkaktuar në terren.

Një pjesë e madhe e tyre kanë shpëtuar pa pasur nevojë ta shfaqin prezencën e tyre në gjykata. Kjo për faktin se lëndët e tyre janë parashkruar.

Parashkrimi konsiston në atë se për shkak të kalimit të afatit të caktuar me ligj, shteti e humbë të drejtën e ndjekjes së personave apo kompanive dhe rrjedhimisht nuk mund t’u shqiptohet dënim për veprat e kryera.

Për vepra kundërvajtëse ky afat është dy vjet prej datës kur është kryer kundërvajtja, ndërsa për vepra penale, varësisht se sa është e dënueshme vepra, ky afat fillon të rrjedh nga një deri në më shumë se dhjetë vjet sipas kodit të ri penal.

Praktikisht, kjo do të thotë se një person apo kompani që i ka prerë ilegalisht pyjet, ka bërë gropa të mëdha duke nxjerrë gurë, ka degraduar shtretërit e lumenjve etj., është zënë nga inspektorati dhe është proceduar në gjykatë, por nuk është dënuar.

Sipas të dhënave që Preportr i ka marrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), rezulton se në periudhën 2015-2019 gjykatat e Kosovës kanë parashkruar 1630 lëndë penale për veprat “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, “Mbajtja e paligjshme e substancave dhe e mbeturinave të rrezikshme”, “Lejimi i kundërligjshëm apo drejtimi i fabrikave dhe instalimeve që ndotin mjedisin”, “Shkatërrimi i pyjeve” dhe “Vjedhja e pyjeve”.

Preportr ka bërë kërkesë në KGJK për të intervistuar kreun e këtij institucioni lidhur me arsyet e parashkrimit të lëndëve nga gjykatat, por edhe pas pritjes dhe insistimit për katër muaj, nuk na është mundësuar realizimi i intervistës.

Shkatërrimi i pyjeve kalon pa ndëshkim

Gjendje jashtëzakonisht shqetësuese është me mosndëshkueshmerinë në sektorin e pyjeve. Në periudhën 2015-2019 u parashkruan 1618 lëndë për veprën penale vjedhje e pyjeve.

Në një raport të mëhershëm të realizuar nga organizata ÇOHU!, rezulton se edhe në vitet paraprake mijëra lëndë që kanë pasur të bëjnë me vjedhjen pyllit janë parashkruar nga gjykatat e Kosovës. Në raport theksohet se nga të gjitha prerjet vjetore të pyjeve, 86 përqind klasifikohen si prerje ilegale.

Nga inspektorati për mjedis i Ministrisë së Mjedisit, Inspektorati i Pyjeve dhe Komisioni për Miniera dhe Minerale, thonë se parashkrimi i lëndëve është shumë demotivues për ta, për shkak se personat që janë zënë duke e dëmtuar mjedisin, kanë shpëtuar pa dhënë asnjë përgjegjësi. Ata thonë se ndëshkimet e ulëta, e në veçanti parashkrimi vetëm sa i nxisin operuesit ilegalë që t’i përsërisin veprimet e degradimit të mjedisit.

Ahmet Zejnullahu kryeshef i Agjencisë Pyjore të Kosovës, thotë se është shqetësuese numri i lëndëve që parashkruhen nga gjykatat. Ai thotë se pjesa tjetër e lëndëve të shqyrtuara janë lëndë me dënime me gjoba, ku merret për bazë gjoba minimale.

Sipas tij, gjobat janë nga 400 deri në pesë mijë euro, por thotë se në 90 për qind të rasteve gjykatat i dënojnë vetëm me 400 euro dhe ka raste kur ato janë edhe më të vogla.

Ai thotë se në shumicën e rasteve ka recidivistë, të cilët drutë nuk i kanë vetëm për nevojat e tyre familjare, por edhe për përfitime materiale.

“Kemi raste kur për dhjetë metra kub dru teknik që e kanë vlerën rreth një mijë euro, mundet me pas një dënim prej 400 euro. Kështu që ndëshkimet ndonjëherë më tepër janë stimulim, sesa ndëshkim”, thotë Zejnullahu.

Edhe Besim Zogu, drejtor i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti, thotë se një numër i madh i rasteve të prerjes ilegale të pyjeve që ata i dërgojnë në gjykata, parashkruhen.

Duke na treguar statistikat e viteve të fundit, ai thotë se në vitin 2015 me aktgjykime të dënuara kanë përfunduar 59 lëndë, ndërsa të parashkruara 66. Në vitin 2016 kanë qenë 45 aktgjykime me dënime dhe 82 të pezulluara. Në vitin 2017 kanë qenë 65 aktgjykime me dënim dhe 94 të pezulluara për shkak të parashkrimit.

“Në vitin 2016 brenda ditës kanë ardhur 24 aktvendime për pezullim të procedurave si pasojë e parashkrimit nga e njëjta gjykatë dhe i njëjti gjykatës. Për këtë arsye ju kemi drejtuar Këshillit Gjyqësor me një shkresë që të merren masa ndaj gjykatësit”, u shpreh Zogu.

Por KGJK i ka kthyer përgjigje inspektoratit se nuk mund të marrë masa ndaj gjykatësit që i ka parashkruar këto lëndë, sepse nuk ka kompetencë të ndërhyjë në punën e gjyqtarëve të cilët në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve janë të pavarur me rastin e vendosjes së çështjeve pranë gjykatave.

Ky inspektorat kishte marrë përgjigje të njëjtë edhe në disa raste të tjera që i kishte adresuar në KGJK.

Pra, pavarësisht se gjykatësit kanë parashkruar mijëra lëndë që kanë të bëjnë me dëmtimin e mjedisit dhe ka pasur ankesa ndaj tyre, të dhënat e siguruara nga KGJK tregojnë se deri më tani nuk është shqiptuar asnjë masë disiplinore ndaj asnjë gjykatësi për shkak të parashkrimit të lëndëve të mjedisit.

Besim Zogu thotë se edhe në rastet kur gjykatësit nxjerrin aktgjykime dënuese, ato janë shumë herë më pak se sa vlera e druve që i kanë prerë. Ai thotë se në bazë të vendimeve që ata pranojnë, rezulton se dënimet variojnë nga 100 deri në 400 euro.

“Ata mund të vjedhin 20-30 kamionë me dru dhe ndoshta njëri nga ta kapet nga roja. Por pas 20-30 kamionëve që ata i shesin me një çmim të lartë, edhe nëse ne ua marrim një kamion, ai dënohet me 300-400 euro, cili është mesazhi që e përcjellë gjyqësori te ata persona që të mos përsëritet kjo vepër”, thotë Zogu.

Ai thotë se kanë pasur edhe raste kur kanë ngritur rast si procedurë kundërvajtëse në gjykatë ndaj rojeve të pyllit, por gjykata ua ka kthyer se ndaj tyre mund të merren vetëm masa disiplinore, por jo masa ligjore edhe pse thotë se kanë ofruar shumë shembuj të aktgjykimeve të gjykatave tjera, ku rojet e pyjeve janë të dënuar për veprën e njëjtë.

“Besoj që një prej arsyeve që gjendja e pyjeve dhe ambientit në përgjithësi nuk është e mirë, është edhe si pasojë e punës së gjyqësorit”, thotë Zogu.

Për më tepër ai thotë se ka raste kur kallëzimet penale hedhen poshtë nga prokuroria, pavarësisht dëshmive që u ofron ky inspektorat se në zonën ku ata e kanë nën mbikëqyrje janë prerë qindra metër kub dru.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Komunën e Ferizajt. Me 5 prill të këtij viti, Inspektorati i Pylltarisë dhe Gjuetisë kishte iniciuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kundër një roje të pyllit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë kallëzim penal thuhet se dyshimet e inspektoratit për prerjen e pyjeve janë konstatuar gjatë kontrolleve rutinore, ku në zonën e njohur si Pleshina 1 janë bërë prerje sistematike të druve duke shkaktuar dëmtim të pyllit në sasi prej 330 metër kub, prej të cilave të mbuluara me fletëparaqitje janë vetëm 24.19 metër kub, ndërsa 305,84 metër kub pa mbulesë me fletëparaqitje. Kjo sasi e druve është vlerësuar nga inspektorati me vlerën prej 41 mijë e 853 euro.

Ekipi i Preportr ka vizituar këtë mal në fshatin Pleshinë të Ferizajt dhe e ka parë vendin ku është prerë kjo sasi e druve. Siç shihet edhe në fotografi, edhe pse ishte gjelbërim, aty vërehen dëmet që janë shkaktuar nga prerja ilegale.

Pavarësisht dëmeve që janë bërë në këtë mal, Prokuroria Themelore e Ferizajt e ka hedhur poshtë kallëzimin penal kundër rojës së pyllit me arsyetimin se nuk ka arritur të vërtetojë se me veprimet e të pandehurit janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas prokurorisë, me asnjë provë nuk është vërtetuar se roja e pyllit ka tejkaluar kompetencat, ose nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Sa i përket dëmit të shkaktuar nga prerja e pyjeve, prokuroria e ka arsyetuar se ajo mund të jetë bërë si pasojë e angazhimit të një roje në hapësirë të gjerë dhe të mos zëvendësimit të rojës nga ndonjë roje tjetër, derisa ai nuk ka qenë në detyrë.

Preportr ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe nga shtatë prokuroritë themelore të dhëna lidhur me procedimin e veprave penale lidhur me mjedisin për periudhën 2015-2020, por vetëm Prokuroritë Themelore të Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës na kanë ofruar të dhëna.

Në këto katër prokurori për veprën penale “Vjedhja e pyllit” janë ngritur 3 mijë e 523 aktakuza, ndërsa janë hedhur 53 kallëzime penale si dhe në shtatë raste janë pushuar hetimet. Për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, janë ngritur 99 aktakuza, ndërsa janë hedhur 23 kallëzime penale si dhe për dy raste janë pushuar hetimet.

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com dhe njohës i fushës së drejtësisë, thotë se një nga arsyet që kallëzimet penale po hedhen poshtë është se hetimi në fazën fillestare është shpeshherë i pamenduar mirë dhe qysh në fillim i dështuar për shkak se edhe Agjencia e Pyjeve edhe mekanizmat tjerë, siç është policia, nuk i përdorin mekanizmat hetimor të zbulimit të veprave penale siç janë vëzhgimi, masat e fshehta etj., për ta argumentuar krimin që ndodh në mjedis.

Siç duket, prokuroritë nuk kanë pasur vullnet të merren si duhet me ndjekjen penale ndaj degraduesve të mjedisit. Këtë e tregon edhe fakti se përveç Prokurorisë Themelore të Pejës, e cila ka caktuar prokurorët si koordinatorë për vepra të caktuara penale në mjedis, asnjë nga prokuroritë tjera nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Lidhur me këtë, Arben Hoti, koordinator për degradim të mjedisit për rajonin e Pejës thotë se duke marrë parasysh numrin e madh të vjedhjes së pyllit dhe shkatërrimet e kryera në zonën e Parkut Kombëtar, caktimi i prokurorëve si koordinatorë ka rezultuar pozitivisht, sidomos me sekuestrimet dhe konfiskimet e mjeteve të përdorura gjatë kryerjes së veprës penale.

“Në 2018 nga të dhënat statistikore rezulton i konfiskuar një kamion, ndërsa në vitin e ardhshëm me aplikimin e këtyre masave rezultojnë të konfiskuara 17 kamionë”, thotë Hoti.

Duke krahasuar të dhënat mes këtyre viteve, ai na tregon se në vitin 2019 janë konfiskuar nëntë kombi të cilët përdoren për vjedhje të pyllit, ndërsa në vitin 2018 asnjë. Po ashtu në vitin 2019 janë konfiskuar shtatë traktorë, ndërsa në vitin 2018 vetëm një.

“Gjithashtu, në vitin 2019 janë konfiskuar shtatë automjete tjera të vogla, ndërsa në vitin 2018 zero. Gjashtë motor sharrë janë konfiskuar në vitin 2019, ndërsa në  vitin 2018 zero”, tregon Hoti.

Sipas tij, aplikimi i masës së sekuestrimit dhe konfiskimit ndaj kryesve të veprave penale ka ndikuar që të njëjtit të vetëdijesohen në moskryerjen e veprave të tilla, sepse humbja që u është shkaktuar me konfiskim, përveç dënimeve që iu shqipton gjykata, është shumë më e madhe sesa dobia që do ta kishin nga kryerja e kësaj vepre penale.

Dëmtuesit e mjedisit shpëtojnë pa dhënë asnjë përgjegjësi

Bedri Halimi, kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit, thotë se përmes parashkrimit të një numri të madh të lëndëve që ata i dërgojnë në gjykata po amnistohen dëmtuesit e mjedisit, të cilët në të shumtën e rasteve i përsërisin veprat e njëjta.

“Vlen për t’u theksuar fakti se te lëndët e parashkruara, gjykatësi gjen hapësirë dhe kohë për të shkruar dy-tri faqe tekst si arsyetim sesi është parashkruar lënda, por nuk gjen kohë për ta shkruar gjysmë faqe për ta dënuar simbolikisht kryerësin e veprës”, thotë Halimi.

Ai thotë se fillimisht kanë bërë ankesa në Gjykatën e Apelit ndaj lëndëve që parashkruheshin, por sipas tij as kjo mënyrë nuk ka pasur ndonjë efekt pozitiv dhe për këtë arsye e kanë ndërprerë.

Në këtë mënyrë institucionet e drejtësisë kanë dështuar t’i dënojnë degraduesit e mjedisit për shkatërrimet që i kanë bërë në vende të ndryshme.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut. Aty për shumë vite kanë operuar dy gurthyes dhe pas gërmimeve të shumta që i kanë bërë në atë lokacion, ato nuk e kanë rehabilituar vendin.

Preportr ka vizituar këtë vend që është ngjitur me bjeshkën e këtij fshati. Nga gërmimet e bëra janë krijuar disa gropa të mëdha dhe dëmet mjedisore aty janë evidente. Aktualisht ky vend është shndërruar në deponi të mbeturinave inerte.

Njëra nga kompanitë kishte operuar aty që nga viti 2003, duke shkaktuar dëme të shumta në mjedis. Këtë e kishte konstatuar disa herë inspektorati i Ministrisë së Mjedisit. Ky inspektorat në vitin 2017 e kishte urdhëruar kompaninë ta bëjë rehabilitimin dhe rrethimin e vendit ku ka punuar për shkak se kishte bërë gropa të mëdha, por kompania nuk e ka bërë një gjë të tillë. Për këtë arsye në vitin 2018, pas riinspektimit, inspektorati e kishte dërguar rastin në gjykatë. Në gjykatë ishte dërguar edhe një kompani tjetër për të njëjtën arsye.

Por siç po ndodh me shumë lëndë të mjedisit, të dy këto lëndë janë parashkruar nga Gjykata Themelore e Pejës – dega në Istog, e cila e ka pezulluar procedurën kundërvajtëse.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por ankesa është refuzuar si e pabazuar.

Kjo do të thotë se këta operatorë kanë shpëtuar pa dhënë asnjë përgjegjësi për degradimin që e kanë lënë pas.

Por pavarësisht gjendjes degraduese që shihet në terren, në Komisionin për Miniera dhe Minerale thonë se njëra nga kompanitë që ka operuar aty, e ka bërë rehabilitimin e vendit dhe rrjedhimisht nuk ia kanë ndalur garancinë bankare prej 24 mijë e 157 euro. Për ta dëshmuar këtë rehabilitim ata na kanë dërguar një fotografi të bërë në qershor të vitit 2020, ku shihen të mbjella disa fidane.

Ky konstatim i KPMM-së është mjaftë i dyshimtë. Kjo për faktin se njëri nga inspektorët që ka marrë pjesë në inspektim ka konstatuar se nuk është bërë rehabilitimi i terrenit ashtu  siç duhet.

Në korrik të vitit 2020, në atë lokacion ishte kryer një inspektimin i përbashkët nga KPMM, Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit. Por këta inspektorë nuk kanë ndarë të njëjtat mendime nga ajo çka kanë parë në terren.

Sipas raportit që e ka siguruar Preportr, inspektori i Ministrisë e Mjedisit, Ismet Dërvari, ka konstatuar se rehabilitimi në atë vend nuk është bërë siç është paraparë në lejen mjedisore, e cila thotë qartë se “operatori pas përfundimit të veprimtarisë, është i obliguar ta kthejë lokacionin në gjendjen e mëparshme”.

“Është konstatuar se operatori pjesërisht ka ndërmarrë masat dhe veprimet për rehabilitimin e terrenit në vendburimin në fjalë, ku i njëjti me vite ka ushtruar aktivitet”, thuhet ndër të tjera në raport.

Dërvari këtë opinion ia kishte dërguar edhe KPMM-së, e cila nuk e ka marrë parasysh, por ka konsideruar se rehabilitimi është bërë dhe ia ka kthyer mjetet e lëna si depozitë kompanisë.

Ndërkaq, lidhur me parashkrimin e këtij rasti dhe shumë rasteve tjera, Bedri Halimi thotë se gjykatat nuk janë sa duhet bashkëpunuese me inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit gjatë shqyrtimit të rasteve që ata i procedojnë.

“Nga praktikat e deritanishme rezulton se kemi raste kur gjykata nuk na thirr fare si dëshmitarë për të dëshmuar....Por kemi raste kur i thirr inspektorët në shqyrtim të lëndës dhe pastaj vendoset që të hedhet poshtë lënda”, u shpreh Halimi.

Sipas tij, parashkrimi i lëndëve ndaj personave dhe kompanive mund të ndikojë që të njëjtit të mos disiplinohen dhe mund të mendojnë se e njëjta gjë do të ndodh edhe me rastin tjetër të inicimit të serishëm në gjykatë.

Edhe në rastet kur ka aktgjykime dënuese ndaj atyre që e kanë degraduar mjedisin, Halimi thotë se dënimet janë të vogla dhe nuk janë në proporcion me dëmet që janë bërë në terren.

“Ka raste që gjykata i jep vetëm qortim, ndonëse ligji e parasheh një mundësi të tillë. Por është e çuditshme të dënohet me qortim dikush që ka bërë degradim mjedisor”, thotë Halimi.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com numëron disa arsye pse lëndët që kanë të bëjnë me mjedisin nuk trajtohen si duhet nga sistemi i drejtësisë. Ai thotë se nuk ka seriozitet të organeve të ndjekjes për ta trajtuar mjedisin si të mirë të përbashkët dhe si e mirë e cila është e domosdoshme për vendin dhe të sigurojnë që ata që e dëmtojnë mjedisin të ndëshkohen ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

Gashi thotë se dënimet prej gjykatave janë varësisht prej asaj se sa ka para i dyshuari. Sipas tij, gjykatat zakonisht marrin vendime më të rënda ndaj të varfërve të cilët presin dru vetëm për nevojat e tyre familjare.

“Dënimet shkojnë gjithmonë duke u ulë, e duke shkuar kah ato më të buta, kah dënimet me kusht etj., kur kemi të bëjmë me kompani, me njerëz të cilët kanë para, siç janë biznesmenët, të cilët përfundojnë pa u dënuar nga gjykatat e Kosovës, për shkak se lëndët e tyre vjetrohen ose kalon kohë e gjatë deri kur ato nisin të trajtohen nga gjykatat”, thotë Gashi.

Lidhur me parashkrimin e lëndëve, ai thotë se  parashkrimi është veprim jo etik i gjyqtarit dhe prokurorit dhe se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial duhet me urgjencë të shohin nëse lëndët janë vjetërsuar për fajin e gjyqtarit apo prokurorit.

“Të gjithë ata që kanë parashkruar lëndë për faj të tyre duhet të thirren në përgjegjësi disiplinore, e që nënkupton që njerëzit në sistemin e drejtësisë mund të largohen prej punës për shkak të zvarritjes apo parashkrimit të lëndëve”, thotë Gashi.

Sipas tij, mjedisi në Kosovë për një kohë të gjatë është dëmtuar nga njerëzit e fortë, të cilët kanë pasur lidhje politike dhe kanë shuma të mëdha të parave.

“Këta njerëz kanë arritur t’i sigurojnë vetes amnisti dhe mosndëshkueshmëri për veprimet kriminale që i kanë bërë ndaj ambientit tonë. Këtu po flas sidomos për eksploatuesit e mëdhenj të zhavorrit, eksploatuesit e maleve, e po ashtu njerëzve që kanë dëmtuar parqet nacionale me prerjen ilegale të pyjeve dhe me ndërtimet pa leje”, thotë Gashi.

Preportr gjatë realizimit të një hulumtimi në vitin 2019 ka gjetur se një pjesë e përfituesve të licencave për gurthyes dhe licencave për rërë dhe zhavorr kanë lidhje me partitë politike, sidomos të atyre që kanë qenë në pushtet në periudhën kohore kur janë pajisur me licenca.

“Disa gjyqtarë sillen si me qenë avokatë të ndërmarrjeve ilegale”

Pakënaqësi rreth trajtimit të lëndëve të mjedisit kanë edhe në Komisionin për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Selvete Grajqevci-Pllana, kryesuese e departamentit Ligjor në KPMM, thotë se parashkrimet po ndodhin për shkak të neglizhencës së institucioneve të drejtësisë.

Ajo thotë se ky institucion nga viti 2015 deri në vitin 2020 ka dërguar 368 kallëzime penale në prokurori dhe se një pjesë e madhe e tyre janë parashkruar. Por në KPMM nuk na kanë ofruar të dhëna statistikore për lëndët që janë parashkruar.

Edhe Grajqevci-Pllana thotë se dënimet e shqiptuara nga gjykata nuk janë në proporcion me veprat penale që janë kryer, sepse asnjëherë nuk shqiptohet masa dënim me burgim ose sekuestrimi i mjeteve të punës me të cilat është kryer vepra penale. Sipas saj, në raste të tilla operatorët e vazhdojnë punën ilegalisht.

Ajo thotë se në shumë raste shqiptohen dënime shumë të ulëta me nga 200 apo 300 euro, apo dënime me kusht për të cilat ajo konsideron se nuk e arrijnë efektin e duhur për veprën që e kanë kryer operatorët ilegalë.

“Me Ligjin për Miniera dhe Minerale, është paraparë që përveç dënimit me gjobë të shqiptohet edhe masa e burgimit deri në gjashtë muaj, e që nuk zbatohet asnjëherë. Ka raste kur lirohen gjoja në mungesë të provave ose ju shqiptohet një gjobë simbolike sa për të thënë kemi marrë masa”, thotë Grajqevci-Pllana.

Një nga problemet me operatorët ilegalë të cilëve nuk u sekuestrohen mjetet e punës është fakti se pavarësisht gjobave të cilat KPMM ua shqipton atyre, të njëjtit i heqin shiritat që vendosen përreth dhe vazhdojnë të operojnë ilegalisht në ato lokacione, duke e degraduar mjedisin.

Grajqevci-Pllana e merr shembull një rast të tillë që ka ndodhur në një fshat të Komunës së Kamenicës.

“Operimi i ndërmarrjeve në fshatin Lajqiq nuk është ndalur. Ne kemi bërë përpjekje disa herë, por pasi që nuk u është sekuestruar makineria, ato kanë vazhduar operimin ilegal. Ne kemi dërguar lëndët në prokurori, por nuk ka pasur efikasitet. Në anën tjetër, në disa raste disa gjyqtarë sillen si me qenë avokatë të ndërmarrjeve ilegale”, thotë Grajqevci-Pllana.

Preportr në dokumentet që i ka siguruar nga KPPM lidhur me këtë rast ka gjetur se në këtë fshat ka pasur në vazhdimësi operime ilegale nga tri kompani. Në shkresën e siguruar nga KPMM, e cila i është drejtuar Gjykatës Themelore në Gjilan, thuhet se inspektorati i KPMM-së ndaj këtyre kompanive ka iniciuar procedura ligjore penale në Prokurorinë Themelore në Gjilan “me qëllim që të ndalen këto aktivitete, por edhe sot e kësaj dite nuk është arritur ky qëllim”.

“Përkundër përpjekjeve që janë bërë që nga viti 2005 nuk është arritur efekti për ndaljen e këtyre aktiviteteve të jashtëligjshme”, thuhet ndër të tjera në raportin e KPMM-së.

Në raport tregohet edhe me fotografi se gjatë shfrytëzimit të rërës dhe zhavorrit, operatorët kanë krijuar gropa të mbushura, që janë mbushur me ujë, të cilat mund të jenë rrezik permanent për njerëzit dhe kafshët e atij fshati.

Duke marrë parasysh këtë situatë, Grajqevci-Pllana thotë se për t’i ndalur operimet ilegale duhet të zbatohen dispozitat e ligjeve në fuqi siç është Ligji për Miniera dhe Minerale dhe ligjet tjera qe lidhen me mjedisin dhe ujërat.

Në anën tjetër KPMM siç duket nuk ka listë të zezë të operatorëve të cilët kanë operuar ilegalisht pa pasur licencë, ose e kanë tejkaluar licencën që e kanë pasur.

Kjo do të thotë se nëse një operator i tillë i sjellë të gjitha dokumentet që kërkohen dhe i paguan gjobat për shkak të operimeve ilegale, do të pajisjet me licencë nga KPMM.

Në situatën aktuale, kur një pjesë e madhe e atyre që kanë shkaktuar dëme në mjedis nuk dënohen për shkak të parashkrimit të lëndëve dhe një pjesë tjetër dënohet me dënime të vogla, do t’i mbetet institucioneve kompetente që të investojnë miliona euro të taksapaguesve kosovarë në mënyrë që t’i rehabilitojnë këto dëme për aq sa është e mundur.

/preportr/

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2021

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në edicionin e tretë "Race for the Cure" të organizuar nga shoqata e pacientëve të kancerit të gjirit Renesansa. (Ura e Arastës, ora 10:00)

- Federata e Pingpongut organizohen 2 xhirot e radhës në Superligën e Meshkujve dhe 2 xhiro në Superligen e femrave. (Shkolla 'Motrat Qiriazi' në Prizren, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i trete i Race for the Cure Kosova 2021, në Prizren. (Sheshi i Lidhjes se Przrenit, ora 10:00)