20 Tetor 2021

Ambasada amerikane vazhdon diskutimet me qeverinë e Kosovës për gazsjellësin

Prishtinë, 20 shtator - Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë, i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë duke vazhduar diskutimet me qeverinë e Kosovës rreth lidhjes me një gazjsellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit.

Ai i bëri këto komente pas debateve që u hapën të premten në Prishtinë rreth kësaj çështjeje.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha gjatë një konference me gazetarë se qeveria e Kosovës është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit për çështjen e infrastrukturës së gazit.

“Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka filluar një studim para-fizibiliteti dhe pastaj ka filluar punën në studimin e fizibilitetit gjatë këtij viti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka përcaktuar një grant prej deri 200 milionë dollarë, jo domosdo 200 milionë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin pjesërisht të kësaj infrastrukture. MCC ose ndonjë organizatë tjetër nuk do të financonte tërë rrjetin, pra kemi të bëjmë për një investim më të madh se kaq, disa herë më të madh se kaq, do të kishim bënin nëse vendosim ndërsa granti i MCC do të mund të përdorej për financimin e një pjese të investimit”, tha ajo.

Ministrja Rizvanolli tha se kostoja e investimit si dhe kapitali janë disa nga dilemat e qeverisë.

“Jemi duke folur dhe varësisht prej cilit model dhe zgjedhje, por llogaritjet që mund të kushtojë 600 milionë ose më shumë - nëse flasim vetëm për gazsjellësin dhe termocentralin. Kostoja operative pastaj është çështje tjetër. Te prodhimi i energjisë me gaz për dallim prej burimeve të tjera kostoja operative është relativisht e lartë. Sipas disa vlerësimeve, 40 për qind është kostoja e kapitalit, 60 për qind është kostoja operative”, tha zonja Rizvanolli.

Zëdhënësi i ambasadës amerikane iu referua qëndrimeve të ministres Rizvanolli se qeveria e Kosovës është ende duke diskutuar dhe duke shqyrtuar një projekt të propozuar që do të ndihmonte Kosovën për t’u lidhur me një tubacion ekzistues të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut. Shumica e financimit, tha ai, do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Diskutimet janë duke vazhduar nëse qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim”, tha zëdhënësi.

Ky projekt, tha ai, është një ndër propozimet e shumta në shqyrtim mes qeverisë së Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit si pjesë e programit Kompact.

Në përgjigjen me shkrim dhënë Zërit të Amerikës, ai tha se një faktor thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike. Ndërsa qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin e energjisë, mos qëndrueshmëria e furnizimit aktual të energjisë elektrike me qymyr, rrit kostot operative për kompanitë dhe kufizon konkurrencën e tyre. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë dëmtojnë dhe veprimtaritë e tjera që krijojnë të ardhura, duke imponuar çmime për bizneset dhe familjet dhe duke penguar investimet.

Për të lehtësuar shkaqet rrënjësore të këtij kufizimi, qeveria amerikane po punon me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara, që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të merrte parasysh një program të mundshëm në vitin 2022.

Sipas zëdhënësit, projektet e tilla të mundshme do të përqendroheshin në disa koncepte që janë në dobi të Kosovës.

Projekti për Zhvillimin e Sektorit të Gazit Natyror do t'u jepte përdoruesve të energjisë një mundësi më efikase të përdorimit të energjisë termike dhe do të kontribuonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t'i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)