05 Dhjetor 2021

2700 objekte priten të futen në listën e objekteve të mbrojtura

Mitrovicë, 18 nëntor - Komunat kanë përgjegjësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke mos lejuar cenimin e tyre.

Kështu u tha të enjten në një punëtori për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, e ka vlerësuar si shumë me rëndësi këtë punëtori që ka për qëllim sensibilizimin e të gjithëve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Theksoi se përkundër problemeve të mëdha komunat duhet të jenë të përkushtuara për këtë segment mjaft të rëndësishëm për shoqërinë.  

Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor në MMPH, tha se trashëgimia kulturore në Kosovë është në zhdukje e sipër. Si ilustrim për këtë ai përmendi rastin e komunës së Prishtinës, ku qyteti i vjetër dhe objektet e vjetra kulturore nuk janë mbrojtur.  

Ndërsa për komunën e Mitrovicës, tha se ka më së paku zona të veçanta që janë të mbrojtura. “Janë gjithsej nëntë zona të mbrojtura në rajonin e Mitrovicës”.

Ai theksoi se në Kosovë ekziston infrastruktura ligjore për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por duhet të ekzistoj edhe vullneti për ruajtjen e kësaj pasurie. “Bëhen shumë veprime të pakoordinuara dhe trajtimi i trashëgimisë kulturore mbetet nën nivel”.  

Si rekomandime për komunat, Nushi përmendi rëndësinë e definimit të zonave me trashëgimi kulturore, mandej të definohen qytetet e vjetra që duhet të ruhen, të ketë përkujdesje institucionale për pronarët e monumenteve etj. 

Ndërsa Burbuqe Deva, kryesuese e Divizionit për Trashëgimi Kulturore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se këto punëtori nëpër rajone janë duke u mbajtur me qëllim që qytetarët të njoftohen për rëndësinë e ruajtjen së trashëgimisë kulturore. 

Ajo theksoi se Kosova ka territor të vogël, por është shumë e pasur me trashëgimi kulturore materiale dhe shpirtërore.

Në Kosovë janë 426 objekte të mbrojtura me ligj, ndërsa nga viti 2003 ka filluar inventarizimi i objekteve të tjera që do të mbrohen me ligj. “Janë diku rreth 2700 objekte që të pritet të futen në listën e objekteve të mbrojtura”.

Ajo theksoi se një vend të veçantë në këtë pasuri të vendit zënë edhe zonat e veçanta të mbrojtura, numri i të cilave tani për tani është  45 sish. 
  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2021

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit me moton “Volunteer Now For Our Common Future”. (Galeria Kombëtare të Kosovës, ora 11:30)

- Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis organizon protestën me moton “Boll Ma - Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, kundër dhunës dhe vrasjeve të vajzave dhe grave, dhe mungesës së përgjigjes së duhur institucionale. (Plateja e sheshit “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)