29 Mars 2024

Zyrtarët e prokurimit në presion nga udhëheqësit e institucioneve

Prishtinë, 9 mars  - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga Haki Shatri, kryetar i komisionit, u shqyrtua raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik mbi aktivitetet e prokurimit publik në Kosovë, për vitin 2009.

Ky raport është hartuar në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit për Prokurim Publik, duke paraqitur një analizë mjaft të detajuar mbi të gjitha aktivitetet e prokurimit publik të zhvilluara në Kosovë sipas kontratave të nënshkruara publike gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2009.

Përfaqësues të KRPP-së, kanë njoftuar anëtarët e Komisionit se nga gjithsej 152 autoritete kontraktuese, sa kanë ekzistuar në Kosovë, në fund të vitit 2009, me kohë i kanë dërguar raportet vjetore 149 autoritete kontraktuese, ndërsa tri autoritete kontraktuese nuk i kanë dërguar raportet vjetore. Autoritetet kontraktueses, të cilat nuk i kanë dorëzuar raportet vjetore, janë tri komuna nga pjesa veriore e Kosovës: Zveqani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

Gjatë vitit 2009 në tërë Kosovën janë nënshkruar 14 mijë e 820 kontrata publike të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës, duke i përfshirë të gjitha llojet e vlerave të prokurimit. Kjo shifër, krahasuar me vitin paraprak, paraqet një rritje të numrit të tyre prej 3.51 për qind, njoftuan përfaqësues të KRPP-së.

Përfaqësues të KRPP-së, njoftuan se sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi i prokurimit publik në Kosovë janë: presionet që iu bëhen zyrtarëve të prokurimit gjatë kryerjes së aktiviteteve të prokurimit, sidomos me rastin e dhënies së kontratës; ndërrimi i shpeshtë i zyrtarëve të prokurimit nëpër autoritetet kontraktuese; numri i vogël i zyrtarëve të licencuar të prokurimit në Kosovë, në krahasim me buxhetin e shpenzuar për prokurime; dhe përdorimi i shpeshtë i procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë-prokurimeve një burimore.

Anëtarët e Komisonit kërkuan informata shtesë nga përfaqësues të KRPP-së, lidhur me mënyrën e tenderimit, kushtet e tenderimit, anekskontratat, si dhe shprehën shqetësimet e tyre lidhur me shumë çështje rreth prokurimit publik.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, vlerësuan se raporti mbi aktivitetet e prokurimit publik në Kosovë për vitin 2009 është raport përmbajtësor dhe se mund të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)