29 Mars 2024

ZKA ka arritur t’i përmbush të gjitha afatet ligjore për punën audituese

Prishtinë, 31 maj - Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2021 është shqyrtuar të martën nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2021, si dhe i është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se pavarësisht sfidave, ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese dhe rezultatet përkatëse, duke publikuar 131 raporte të auditimit, katër (4) auditime më shumë se sa në vitin paraprak dhe me cilësi të lartë profesionale.

“Për vitin 2021, janë kryer 116 auditime të pasqyrave vjetore financiare, objektivë e të cilave ishte të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keqdeklarime materiale, si dhe të ofrojmë opinionin e auditimit në lidhje me këto pasqyra. Përveç, opinionit, ne kemi shprehur konkluzionin e auditimit për pajtueshmërinë me legjislacionin e zbatueshëm përkatës. Këto auditime kanë përfshirë auditimin e pasqyrave vjetore financiare të organizatave buxhetore përfshirë nivelin qendror, nivelin lokal dhe institucionet e pavarura, ndërmarrjet publike si dhe projektet e financuara nga donatorë siç janë Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim”, ka deklaruar znj. Spanca.

Ajo ka shtuar se gjatë vitit 2021, ZKA ka kryer edhe 13 auditime të performancës përmes të cilave ka promovuar efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin, vlerën për para dhe transparencën në administratën publike. “Auditimet e performancës kanë mbuluar fusha me interes për qytetarët, Kuvendin e Kosovës dhe palët e tjera të interesit. Fokus i auditimeve ishte: zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, shëndetësia, mjedisi dhe siguria, teknologjia e informacionit si dhe fusha e prokurimit publik”, ka theksuar znj. Spanca.

Tutje Auditorja e Përgjithshme i ka njoftuar deputetët se çështjet kryesore të dala nga rezultatet e auditimeve për vitin raportues, kanë të bëjnë me cilësinë e raportimit; planifikimin dhe realizimin e buxhetit; kontrollet e vlefshmërisë së të dhënave në SIMFK. Gjithashtu, ka shtuar se këto rezultate kanë të bëjnë edhe me klasifikimet e shpenzimeve; efikasitetin në shpenzimin e fondeve nga borxhet publike; menaxhimin e llogarive të arkëtueshme; detyrimet e pa paguara dhe detyrimet kontingjente;  regjistrimin, prezantimin dhe trajtimin jo adekuat të pasurive; raportimin financiar me mangësi të theksuar në ndërmarrje publike, si dhe zbatimin e rekomandimeve.

“Auditimet kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para”, është shprehur znj. Spanca, duke theksuar se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Para deputetëve, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se pasi ka marrë mandatin për herë të parë ZKA-ja ka filluar me auditimin e informatave te klasifikuara me ligj.

Duke folur për performancën e ZKA-së gjatë vitit 2021, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se paralelisht me realizimin e planit të auditimit, është avancuar metodologjia për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe ka hyrë plotësisht në funksion digjitalizimi i punës audituese.

Kurse, për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, znj. Spanca ka theksuar se ZKA-ja në 2021-në ka dërguar 52 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit si dhe ka ofruar informacione për raste të natyrës se tillë.

Ndërkaq, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka marrë pjesë në aktivitete të organizatave ndërkombëtare si: INTOSAI, EUROSAI dhe atyre regjionale, ndërsa është përmbyllur me sukses zbatimi i projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Po ashtu, ka theksuar se ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në fushën e auditimit të performancës.

Deputetët e këtij Komisioni, znj. Spanca i ka njoftuar në mënyrë të hollësishme edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit.  
Më këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale.  
Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike pasi kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhën më aktivitetet në veçanti ato audituese të ZKA-së dhe kanë parashtruar pyetje të cilave znj. Spanca u është përgjigjur.

Ndër çështjet për të cilat Deputetet ishin të interesuar të dinin, kanë të bëjnë me: auditimet e ndërmarrjeve publike, veçanërisht atyre të audituara për herë të parë, arsyet për dhënie të opinioneve, cilësinë e auditimeve të kontraktuara përmes shërbimeve të jashtme, adresimi i rasteve me elemente potenciale për mashtrim, masat që duhet të ndërmerren për rritjen e imazhit publik të ZKA-së, çështjet e pagesave të punonjësve në mungesë të pjesëmarrjes në punë, etj.

Ndër të tjera u kërkua që në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm të konsiderohen auditime më ndikim në buxhetin e shtetit, ndër të cilat u theksua, auditimi i kontratave me negocim dhe atyre për shërbime të veçanta.

Gjithashtu, në takim u theksua nevoja edhe për forcimin e komunikimit midis Kuvendit dhe ZKA-së, në veçanti pas vendimeve të Kuvendit për të adresuar rekomandimet dhe masat e duhura ndaj Institucioneve publike, në mënyrë që ZKA të jetë e informuar edhe për veprimet dhe rezultatet pasuese nga ana e Kuvendit për adresimin e llogaridhënies në zbatimin e rekomandimeve nga Institucionet publike.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)