24 Prill 2024

Vlora Spanca emërohet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 12 gusht - Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës, me mandat pesëvjeçar.

Pas marrjes së detyrës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është zotuar se do të vazhdoj të punojë në fuqizimin e rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.

Auditori i deritanishëm Besnik Osmani, e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, duke shprehur besimin që Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdoj të mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.

Znj. Spanca është Auditorja e pestë me radhë, që nga themelimi i institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, në vitin 2003.

Biografia e znj. Spanca

Vlora Spanca që nga muaji gusht i vitit 2017 ishte Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ishte përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të departamenteve të auditimit, që përfshin: Departamentin e Auditimit të Performancës, Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informativ, si dhe Departamentin e Auditimit për Prokurimin dhe Menaxhimin e Projektit.

Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim. Gjatë periudhës 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit të financuar nga Banka Botërore për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik.

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit është punësuar në vitin 2007 dhe që nga viti 2009 deri në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e Departamentit të Auditimit për auditime të rregullsisë, që përfshin Ministritë dhe Agjencitë e Pavarura të krijuara nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë periudhës 2015 – 2016, Spanca ishte përgjegjëse për auditimin e Pasqyrës Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm.

Ajo ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale.

Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik dhe është certifikuar si menaxher i cilësisë së sistemit nga “Quality Austria”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)