28 Mars 2024

Variantet e reja të COVID-19 kërcënojnë rimëkëmbjen ekonomike

Washington, 11 korrik - Rimëkëmbja ekonomike globale është në rrezik nga përhapja e varianteve të reja të koronavirusit dhe qasja e pamjaftueshme e vaksinave në vendet në zhvillim, paralajmëruan të shtunën ministrat e financave të 20 ekonomive më të mëdha në botë.

Në takimin e G-20-së në Venecia të Italisë – i pari ku ministrat marrin pjesë fizikisht që nga fillimi i pandemisë – u miratua gjithashtu një vendim për të ndaluar kompanitë ndërkombëtare që të dërgojnë fitimet në parajsat fiskale me taksa të ulëta.

Kjo u hap rrugën udhëheqësve të G20-ës që të finalizojnë një normë të re globale të taksës minimale të korporatave prej 15% në një takim të nivelit të lartë në Romë në tetor, një veprim që mund të rikuperojë qindra miliarda dollarë për arkat publike të dobësuara nga kriza e COVID-19.

Në një deklaratë përfundimtare thuhej se perspektiva ekonomike globale ishte përmirësuar që nga bisedimet e G-20 në prill falë shpërndarjes së vaksinave dhe paketave të mbështetjes ekonomike, por pranohet fakti se situata është e brishtë për shkak të varianteve si Delta që përhapen me shpejtësi.

"Rimëkëmbja karakterizohet nga hendeqe të mëdha mes vendeve dhe brenda tyre dhe mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve, në veçanti përhapjes së varianteve të reja të virusit COVID-19 dhe ritmeve të ndryshme të vaksinimit," thotë deklarata.

"Ne riafirmojmë vendosmërinë tonë për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për aq kohë sa duhet për të përballuar pasojat e COVID-19", vazhdon më tej ajo, duke theksuar që ato duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e stabilitetit në çmime dhe financat publike.

Megjithëse dokumenti thekson mbështetjen për "ndarjen e drejtë globale" të vaksinave, aty nuk propozohen masa konkrete, thjesht përmendet një rekomandim për 50 miliardë dollarë financim për vaksina shtesë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Tregëtisë.

Dallimet në nivelet e vaksinimit mes të pasurve dhe të varfërve në botë mbeten të thella. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka quajtur hendekun një "turp moral" që minon përpjekjet më të gjera për të zbutur përhapjen e virusit.

Ndërsa në disa nga vendet më të pasura mbi dy të tretat e qytetarëve kanë marrë të paktën një doze vaksine, kjo shifër bie nën 5% për shumë vende afrikane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)