23 Prill 2024

SHBA: Ekonomia po del gradualisht nga recesioni

Uashington, 3 mars – Departamenti amerikan i Tregtisë thotë se shpenzimet e konsumatorëve në janar u rritën më shumë se ç’ishte parashikuar. Analistët thonë se kjo rritje është një shenjë tjetër se ekonomia amerikane po del gradualisht nga recesioni më i rëndë që në vitet ’30.

Ndërkohë që shpenzimet e konsumatorëve ushqejnë rreth 70 për qind të aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara, ekonomistët thonë se faktorë të tjerë po bëhen pengesë në rrugën e rimëkëmbjes:

Ekonomia amerikane u rrit me ritme më të shpejta se ç’pritej në fund të 2009-s. Por pas 2 muajve të parë të 2010-s, disa analistë po thonë se ky vrull në rimëkëmbje ra.

Megjithëse shpenzimet e konsumtorëve u rritën pak në janar, ekonomistja Diane Swonk thotë se shitjet e shtëpive vazhduan të jenë të dobëta:
       
“Tregu i shtëpive e ka marrë veten nga nivelet tepër të ulëta që pamë gjatë kulmit të recesionit. Por duhet të themi se nuk po bëjmë përparim të madh.”
   
Megjithë shumën deri në 8 mijë dollarë që u kthehen nga taksat amerikanëve që blejnë shtëpi për herë të parë, shitjet e shtëpive ranë për të dytin muaj radhazi.
   
Disa thonë se rreshjet e borës mund të kenë qenë shkaku. Por me rënien e çmimeve, agjentët imobiliarë parashikojnë përmirësime në mars dhe prill.
       
“Tregu i shtëpive nuk ka për të qenë më kaq me leverdi për blerësin, pasi kemi edhe interesat e ulëta edhe çmimet e ulëta. Është moment shumë i mirë.”

Megjithëse ritmet e prodhimit, që pasqyrojnë kërkesën, u rritën në shkurt, disa ekonomistë thonë se rimëkëmbja nuk do të jetë aq e shpejtë sa pas recesioneve të mëparshme. John Silvia është krye-ekonomist në bankën Wells Fargo:
   
“Mendoj se ritmet e shpenzimeve të konsumatorëve pasqyrojnë tregun e dobët të punës.”
   
Ritmet e humbjes së vendeve të punës u ngadalësuan vjet, por afro 15 milionë amerikanë janë ende pa punë. Zoti Silvia parashikon përmirësim të gjendjes së shpejti:
       
“Parashikoj se do të kemi rritje të vendeve të punës nga 3 mujori i dytë i këtij viti, pra duhet të presim edhe 2-3 muaj, që të shohim shifra pozitive.”

Amerikanët do të kenë një ide më të mirë për perspektivën ekonomike këtë të premte, kur Departamenti i Punës të nxjerrë raportin e tij mujor për tregun e punës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)