19 Prill 2024

Rritet kostoja për të varfërit

Washington, 11 nëntor - Në Shtetet e Bashkuara, grupet dhe organizatat që ndihmojnë të varfërit janë përballur vitet e fundit me rritjen e kërkesave për ndihmë nga njerëzit dhe familjet në nevojë si rezultat i pasojave të shkaktuara nga pandemia.

Aktualisht, këto grupe po përballen me një sfidë të re, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe problemet në zinxhirin e furnizimeve të përhapura në mbarë vendin. Ndërsa afrojnë festat e fundvitit, disa organizata janë të shqetësuara se mund të mos kenë ushqime të mjaftueshme për familjet në nevojë.

Kostot e larta dhe mungesa e furnizimeve, për shumë familje amerikane do të thotë mungesë ushqimesh. Çmimet e disa ushqimeve pothuajse janë dyfishuar. Grupet që ndihmojnë familjet në nevojë thonë se nuk do të kenë ushqime të mjaftushme ndërsa afrojnë festat e fundvitit.

Katie Firzgerald, presidente e organizatës jofitimprurëse “Feeding America” thotë se situata është shqetësuese.

“Rritja e çmimit të ushqimeve është një sfidë e vërtetë për plotësimin e nevojave të atyre që nuk kanë se me çfarë ushqejnë familjet. Çmimet e ushqimeve janë rritur dy deri tre herë krahasuar me nëntë muaj më parë.”

Organizatat e ndihmave, të cilat zgjeruan veprimtaritë për të përmbushur kërkesat e mëdha të shkaktuara nga pasojat e pandemisë, thonë se nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ushqimeve.

Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimeve dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë kontribuar tek rritja e kostos.

Madje edhe transporti i ushqimeve të dhuruara ka një kosto shumë më të madhe, duke patur parasysh rritjen e çmimit të karburantit të shoqëruar me probleme të tjera.

Një organizatë që ndihmon të varfërit në zonën e San Franciskos, “Alameda County Community Food Bank” në Oakland të Kalifornisë thotë se po shpenzon 60 mijë dollarë më shumë në muaj për të ushqyer të varfërit. Michael Altfest, thotë se organizata që përfaqëson ai shpenzon 1 milion dollarë në muaj për të shpërndarë 2 milionë kilogramë ushqime për të varfërit. Kërkesat për ushqime, thotë ai, janë rritur ndjeshëm.

Pranë një kishe në Oakland qindra njerëz presin në radhë për të marrë ndihmat javore. Qendra “Shiloh Mercy House” ushqen rreth 300 familje. Ita Espinoza është mes atyre që ka nevojë për ndihmë.

“Kam nevojë për ushqime për familjen time. Çmimet në dyqane janë shumë të larta dhe nuk kam para të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.”

Ndërsa afrohet sezoni i festave, shumë amerikanë do të kenë nevoja të shtuara për të ushqyer familjet e tyre.

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)