19 Prill 2024

RrGK me rekomandime për buxhetin e komunave për vitin 2022

Prishtinë, 19 gusht - Përderisa jemi në prag të zgjedhjeve lokale, komunat e Kosovës janë në proces e sipër të hartimit të buxhetit për vitin 2022, me ç’rast e kanë obligim të organizojnë konsultime publike me qytetarë.

Gjatë ndarjes së buxhetit, komunat duhet të zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore, i cili e bën buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të detyrueshëm për institucionet publike në Kosovë, përfshirë këtu edhe komunat.  

Andaj, duke pasur për bazë rekomandimet e marra nga organizatat anëtare të RrGK-së, si dhe të gjeturat e hulumtimeve tona, ne kemi përmbledhur pikat kyçe të cilat duhet drejtuar komunave gjatë konsultimeve publike për hartimin e buxhetit. Vetëm duke marrë parasysh këto rekomandime mund të sigurohemi që paraja publike të kontribuojë në avancimin e mëtejmë të barazisë gjinore në Kosovë, duke sjell ndër mend se për këtë është zotuar edhe qeveria përmes disa ligjeve dhe politikave. Më poshtë janë të renditura kërkesat kryesore, kurse dokumenti i plotë me të gjitha kërkesat gjendet KËTU.

·       Bazuar në analizën gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, të ndahen burime të mjaftueshme, për zbatimin e plotë të përgjegjësive komunale në lidhje me adresimin e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, sidomos për sa i përket rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri (ashtu siç tregojnë të gjeturat nga hulumtimi i RrGK-së “Nga Fjalët në Vepra”, deri më tani nuk ka pasur burime të mjaftueshme). Si shembull, të alokohet buxhet i mjaftueshëm për më shumë nëpunës për shërbime sociale, si dhe të zbatohet plani për menaxhimin e rasteve në lidhje me rehabilitim.

·       Të sigurohen ambiente/ndërtesa për strehimore në komunat ku ato nuk janë të disponueshme, si dhe të sigurohet strehim social për personat që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore.

·       Të alokohen fonde të mjaftueshme për të rritur numrin e qendrave të kujdesit për fëmijë dhe qendrave para-shkollore në proporcion me numrin e fëmijëve në nevojë në atë komunë. Kjo gjithashtu do të rrisë performancën arsimore të fëmijëve, si dhe do t’u mundësojë më shumë grave të hynë në fuqinë punëtore, siç tregohet në hulumtimin e RrGK.

·       Buxheti i Drejtorisë së Arsimit në nivel lokal të parashohë që mësuesit/et e niveleve të Arsimit të Mesëm të Ulët dhe atij të Mesëm të Lartë të trajnohen për dhe mbi ligjërimin e ndjeshëm gjinor.

·       Të sigurohet buxhet i mjaftueshëm për ofrimin e shërbimeve për shëndetin reproduktiv në të gjitha komunat.

·       Të  aprovohen politika fiskale dhe stimuj që ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve të grave, përfshirë këtu sektorin e bujqësisë. Për më tepër, secila komunë duhet të analizojë barrierat kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset e grave gjatë dhe pas pandemisë, si dhe të përpilojë politika që do të ndihmonin në tejkalimin e këtyre barrierave.

·       Të rritet numri i inspektorëve të punës, si dhe të ngriten kapacitetet e inspektorëve të tanishëm për zhvillimin e qasjes së përgjegjshme gjinore duke ndjekur parimin “mos i bë dëm askujt” (Eng: Do no Harm approach) gjatë luftimit të ekonomisë joformale.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) për vite të tëra përpiqet dhe punon drejt institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, i cili kërkon që fondet e shpenzuara të adresojnë nevojat dhe prioritetet e ndryshme të grave dhe të burrave, ashtu siç është identifikuar edhe nga analiza gjinore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)