20 Prill 2024

Rimëkëmbja e fortë në 2021 rrit ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore

Washington, 6 tetor - Rimëkëmbja e fortë surprizuese që përjetuan tregjet e reja dhe vendet në zhvillim në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në gjysmën e parë të këtij viti çoi në rritje të aktivitetit ekonomik të tyre, dhe parashikimi aktual për ekonominë rajonale është më pozitiv nga sa pritej, me rritje të saj prej 5.5 për qind në vitin 2021, thuhet në raportin e fundit  të Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për rajonin, i publikuar sot.

Rimëkëmbja u nxit kryesisht nga një ringritje e fortë e eksporteve gjatë gjysmës së parë të këtij viti, si rezultat i rigjallërimit të aktivitetit në Eurozonë dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve të mallrave, si dhe forcimit të kërkesës së brendshme falë procesit të vaksinimit dhe paketave mbështetëse.

Megjithatë, rritja që përjetuan eksportet mund të zbehet për shkak të përhapjes së vazhdueshme në botë dhe në rajon të varianteve më ngjitëse të COVID-19, gjë që ka dobësuar rimëkëmbjen e kërkesës së brendshme rajonale.

Në vitin 2022, rritja rajonale parashikohet të ngadalësohet në 3.4 përqind, si rezultat i stabilizimit të kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme si dhe ndërprerjes së stimujvë të dhënë për shkak të pandemisë.

Perspektiva mbetet tejet e pasigurt në kushtet e kohëzgjatjes së pandemisë, veçanërisht në kontekstin e aksesit të pabarabartë në vaksina dhe ngurrimit të qytetarëve për t’u vaksinuar.

Rimëkëmbja rajonale është shoqëruar me një përshpejtim të rritjes së inflacionit. Rajoni mbetet i ekspozuar ndaj stresit financiar, i cili mund të nxitet nga një shtrëngim i papritur i kushteve të financimit të jashtëm ose nga një rritje e menjëhershme e pasigurisë së politikave dhe tensioneve gjeopolitike.

“Pandemia vijon të ndikojë perspektivën ekonomike për Evropën dhe Azinë Qendrore. Sidoqoftë, me rritjen e shkallës së vaksinimit në rajon, tashmë politikëbërësit mund të përqëndrohen në garantimin e një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse, të fortë dhe të qëndrueshme pas pandemisë."

"Sigurimi i një mjedisi konkurrues për biznesin i cili lehtëson sipërmarrjen dhe nxit dinamizmin në sektorin privat është thelbësor për rritjen afatgjatë," tha Anna Bjerde, Zv.Presidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Një analizë e posaçme mbi 'Konkurrencën dhe Rimëkëmbjen e Biznesit pas Covid-19', e cila përdor të dhëna nga Vrojtimi i Ndërmarrjeve të Bankës Botërore dhe Vrojtimet e Besimit të Biznesit, arrin në përfundimin se pandemia pati një ndikim të thellë dhe të gjithanshëm mbi ndërmarrjet.

Mesatarisht, bizneset në rajon përjetuan rënie të konsiderueshme të shitjeve mujore dhe numrit të punonjësve me orar të plotë.

Deri në maj të këtij viti, një në katër ndërmarrje priste që të krijonte detyrime të prapambetura gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Bizneset më të vogla, më të reja dhe të drejtuara nga gratë nuk kishin parë ende përmirësim të shitjeve që prej rënies fillestare.

Krizat mund të kenë pasoja shkatërruese për shumë ndërmarrje, por shpesh ato kanë dhe një anë pozitive, rialokimin e burimeve nga ndërmarrjet më pak produktive tek ato më produktive.

Kjo mund të vërehet gjithashtu në Evropë dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në vendet me tregje më konkurruese. Në fakt, ndërmarrjet që kishin produktivitet të lartë të punës para krizës përjetuan rënie shumë më të vogla në shitje dhe punësim krahasuar me ndërmarrjet me produktivitet të ulët para krizës.

Gjithashtu, ndërmarrjet më produktive kishin më shumë gjasa të përshtateshin me krizën duke rritur aktivitetin online dhe punën nga shtëpia.

"Roli i konkurrencës është i rëndësishëm sepse ajo është e lidhur me dinamizmin, i shtyn ndërmarrjet drejt inovacionit, duke imponuar hyrjen në treg dhe rritjen e ndërmarrjeve më efiçente dhe daljen e atyre që janë më pak efiçente," tha Asli Demirgüç-Kunt, Krye-ekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

 "Në vendet me tregje më konkurruese dhe politika më të forta që mbrojnë konkurrencën, kjo rishpërndarje drejt ndërmarrjeve më produktive ishte edhe më e madhe."

Shumë qeveri zbatuan programe mbështetëse të politikave gjithëpërfshirëse me qëllim adresimin e menjëhershëm të rënies fillestare ekonomike të shkaktuar nga kriza. Këto politika siguruan ndihmë të menjëhershme që i mbronte ndërmarrjet dhe punëtorët nga pasojat më të rënda. Megjithëse shtrirja e masave mbështetëse nga ana e qeverive të vendeve ishte e ndryshme, mesatarisht 50 përqind e ndërmarrjeve raportuan se kishin përfituar njëfarë mbështetje nga qeveria për humbjet ekonomike të shkaktuara nga pandemia.

Në përgjithësi, rezultatet e anketave tregojnë se ndërmarrjet më pak produktive kishin më shumë gjasa të përfitonin mbështetje nga qeveria, ndërmarrjet më të mëdha kishin më shumë gjasa se ndërmarrjet më të vogla të përfitonin mbështetje në formën e shtyrjes së afatit të pagesave dhe lehtësirave fiskale, dhe këto masa mbështetëse iu ofroheshin firmave pavarësisht nivelit të inovacionit të tyre para krizës.

Ndërsa ekonomitë hyjnë në fazën e rimëkëmbjes ekonomike, është e rëndësishme që politikëbërësit në të gjitha vendet të ndërpresin sa më parë që të jetë e arsyeshme masat mbështetëse të politikave gjithëpërfshirëse dhe të përqëndrohen në nxitjen e një mjedisi konkurrues biznesi, i cili është çelësi për një rimëkëmbje të fortë; aftësi ripërtëritëse ndaj krizave të ardhshme; dhe rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Shumica e vendeve në Evropë dhe Azinë Qendrore mund të përmirësojnë si kuadrin institucional ashtu edhe zbatimin e ligjeve për të garantuar një mjedis të fortë konkurrues, përfshirë reforma në politika për forcimin e procedurave të falimentimit dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, lehtësimin e hyrjes në treg të ndërmarrjeve të reja dhe përmirësimin e kapacitetin e sektorit financiar për të ofruar kredi për biznesin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)