20 Prill 2024

Qeveria miraton Pakon e Ringjalljes Ekonomike në vlerë prej 100 milionë euro

Prishtinë, 13 prill - Kryeministri Albin Kurti dje bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë prezantuar masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në vlerë prej 100 milionë euro.

Ndërsa sot në mbledhjen e qeverisë janë votuar vendimet për këto masa, nga të cilat përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë apo praktikisht secila familje e Republikës sonë.

Kryeministri Kurti ka thënë së në këtë mbledhje ka edhe disa vendime të tjera tejet të rëndësishme.

Atë për projektligjin, që i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, nga e cila do të përfitojnë 100 mijë punëtorë.

Po ashtu, hiqet tatimi për pagën minimale, nga e cila do të përfitojnë të gjithë punëtorët.

"Në rend të ditës kemi edhe propozim-vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksporteve të produkteve themelore agroushqimore. Në rrethanat aktuale ky vendim synon të sigurojë furnizimin e qytetarëve me produkte bazë si, gruri, misri, mielli, vaji ushqimor, kripa e kuzhinës dhe sheqeri", ka thënë Kurti.

Qeveria ka miratuar edhe rishikimin e buxhetit për këtë vit, i cili me këtë rishikim do të rritet nga 2.75 në 2.9 miliardë euro.

"Unë gëzohem që ky kabinet qeveritar tashmë i ka bërë të përjavshme vendimet, që e vendosin në qendër qytetarin", ka shtuar ai.

Masat mbështetëse që janë prezantuar dje sipas Kurtit nuk janë politika fiskale apo politika zhvillimore, e as nuk synojnë t’i zëvendësojnë këto të dyja.

 Ato sipas tij janë politika sociale, mbështetëse për qytetarët në një kohë sfiduese.

"Nëpërmjet tyre po rishpërndajmë rritjen ekonomike prej 10.53%, e cila është arritur, përpos tjerash, falë politikave zhvillimore të qeverisë sonë. Siç edhe konstaton Fondi Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike në vendin tonë është stimuluar nga tre faktorë kyç: menaxhimi i suksesshëm i pandemisë nëpërmjet një fushate efektive të vaksinimit; mbështetja e diasporës; dhe zbatimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike."

"Ne mund të jemi Qeveria e parë e Republikës së Kosovës, që po bën një rishpërndarje të tillë të parave te qytetarët kur ata kanë nevojë."

"Ndoshta edhe mund të jemi prej vendeve të rralla që po veprojnë kështu. Por, gjithsesi nuk jemi të vetmit, që po zbatojmë masa si këto", ka theksuar Kurti.

Në tetorin e vitit të kaluar, Franca kishte ndarë nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat dhe publik dhe për pensionistët si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit.

Kurse muajin e kaluar Gjermania ka vendosur që ndër të tjera të ndajë 300 euro shtesë të njëhershme për të gjithë punëtorët, si përgjigje ndaj rritjes së çmimit të energjisë.

Nëse në rastin e Francës dhe Gjermanisë sipas kryeministrit Kurti është pasuria e kombeve dhe fuqia ekonomike e tyre, që mundëson këso masa mbështetëse, në rastin tonë janë besimi në institucione dhe etika tatimore e qytetarëve, që po e bën të mundur këtë mbështetje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)