20 Maj 2022

Qeveria Kurti e gatshme për të ofruar kushte të favorshme për investimet e huaja

Dallas, 13 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit (World Affairs Council of Dallas) /Fort Worth.

Fuqia punëtore profesionale e Kosovës, kosto e ulët operative për kompanitë e Teknologjisë së Informacionit, zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.

Ai theksoi klimën tërheqëse për investime në Kosovë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë.

Duke marrë parasysh këto cilësi të veçanta të sektorit të TI-së në Kosovë, kryeministri ftoi investitorët e fokusuar në këtë sektor, që ta përfshijnë vendin tonë në planet e tyre për kontraktimin e shërbimeve.

Duke përmendur ndihmën, që mërgata jonë ka dhënë në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor para dhe gjatë luftës, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës, ai veçoi potencialin e mërgatës sonë në ShBA për investime të përbashkëta në Kosovë.

Kryeministri Kurti potencoi gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investimet e huaja.

Duke theksuar besimin e lartë te qeveria, kryeministri veçoi përmirësimin vjetor rekord për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të raportit të Transparency International.

Miratimi i ligjit për Gjykatën Komerciale, që do të shërbejë për rritjen e efikasitetit të trajtimit të kontesteve ekonomike, dhe rishikimi i ligjeve ekzistuese kanë për qëllim ofrimin e kushteve sa më të favorshme dhe të përshtatshme të të bërit biznes, tha kryeministri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 maj 2022

- Për herë të parë në Kosovë organizohet Dita Internacionale të Burimeve Njerëzore. (Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik,  ora 9:30)

 - Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton rreth performances së përgjithshme të Kosovës në fushën e energjisë elektrike ne raport me kërkesat e Komunitetit të Energjisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj marrin pjesë në ceremonisë së betimit  të ushtarëve të rijnë  FSK-së. (Kazerma e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin e Venecias për Vetting. (Kabineti i kryetarit, ora 11:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimeve)

- Në shënim të përvjetorit të masakrës së Dubravës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me studente nga Universiteti i Prishtinës, zhvillon një vizitë në Dubravë. (Dubravë, ora 11:30)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës organizon protestë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 13:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane organizohet piknik me poezi. (Pakru i qytetit të Prishtinës, ora 15:00)

- Në vazhdën e aktivitete për promovimin e lëvizjes së lirë nëpër Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me “Qendra Marrëdhënie” në Tiranë, organizojnë aktivitetin “Festë n ‘ Rrugë” për të përjetuar së bashku lirimin e rrugëve afër shkollave për të mirën e fëmijëve tanë dhe gjithë komunitetit përreth. (Rruga “Zejnel Salihu”, përball Shkollës Fillore “Elena Gjika”, ora 17:00)

- Mbahet koncerti përmbylles i Ditëve të Gjuhës Gjermane. (Amfiteatri i Biblotekës Universitare, ora 19:00)