24 Tetor 2021

Prezantohet mbështetja për punëtoret e formalizuar në kuadër të masave të punësimit

Prishtinë, 21 shtator - Në konferencën e mbajtur sot për media Ministri Murati prezantoi zgjerimin e masave të punësimit në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Prioritet kryesor i Qeverisë është punësimi, e kësaj vazhdojmë t’i qëndrojmë prapa me politika publike që orientohen në ndihmën për zgjerim të kapaciteteve dhe punësim, e rrjedhimisht formalizim të ekonomisë. Në kuadër të masave të punësimit, si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ndër të tjera është paraparë mbështetja për rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetja për punëtorët e formalizuar, si dhe mbështetja për punësimin e grave.

Megjithatë, duke synuar që ta shtrijmë më tutje fushatën e punës së deklaruar, e këtë ta bëjmë normë në ekonominë e vendit, kemi paraparë zgjerimin e këtyre tri masave. Kësisoj, MFPT-ja ka punuar në shtrirjen e mbështetjes edhe tek punëmarrësit që janë të deklaruar në ATK prej datës 1 Korrik 2021 e tutje dhe që kanë kontrata të nënshkruara, të cilët përkrahas pagës nga punëdhënësi, do të mbështeten edhe nga Qeveria. Përkatësisht, mbështetja ofrohet si vijon:

-          Për të gjithë ata që kualifikohen sipas Masës 1.1 (këtu mund të shihni nëse kualifikoheni: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim) dhe punësohen, mbështetja do të jetë 3 muaj nga 100 euro.

-          Për të gjithë të tjerët (Masa 1.2 dhe 1.3) që janë punësuar/deklaruar prej periudhës tatimore korrik 2021 e tutje (e që nuk kanë qenë të punësuar/deklaruar në periudhën qershor 2021) mbështetja do të jetë 3 muaj nga 50 euro.

Aplikimi për subvencionim për punëdhënësit tashmë është i hapur tek platforma EDI në ATK, kurse aplikimi për punëmarrësit do të hapet ditëve në vijim. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 15 Tetor, gjë që përbën një mundësi të mirë për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit të përfitojnë nga këto masa.

Gjithashtu, duke konsideruar që shumë ndërmarrje të vogla operojnë me kapacitete të limituara, MFPT-ja ka përgatitur edhe forma standarde të kontratave të punës, ashtu që të ju lehtësohet edhe më shumë procesi i formalizmit të punëtorëve. Format e kontratave do të jenë të disponueshme në webfaqe të MFPT-së, dhe ditëve në vijim do të ofrohen edhe si kopje fizike nëpër zyrat rajonale të punësimit.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)