19 Prill 2024

Pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit komunal e ultë

Prishtinë, 18 mars – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të USAID, përmes aktivitetit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, të enjten, përmes platformës “Zoom” kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Planifikimi i Buxhetit Komunal për vitin 2021”, i cili raport është rezultat i monitorimit të procesit të draftimit të buxhetit, me theks të veçantë të përfshirjes së qytetarëve në këtë proces, në nëntë (9) komuna (Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Vushtrri, Rahovec, Junik, Deçan dhe Hani i Elezit).

Gzim Shala, Hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se dispozitat ligjore dhe nënligjore përcaktojnë obligimin e komunave për përfshirjen proaktive të qytetarëve në procesin e buxhetimit komunal. Sipas Shalës, këto dispozita ende nuk janë plotësisht të zbatuara në praktikë, derisa mungon edhe vetëdija e qytetarëve mbi mundësinë e pjesëmarrjes në këtë proces.

“Sipas Udhëzimit Administrativ Nr.06/2018 për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna konsultimi me shkrim dhe elektronik, publikimi  në ueb-faqen e komunës dhe në Platformën e Qeverisë për Konsultime publike, si dhe së paku një takim publik konsultativ me palët e interesuara janë të obligueshme në procesin e konsultimit publik. Po ashtu, bazuar në këtë udhëzim administrativ, Komunat janë të obliguara që në fund të procesit të konsultimeve publike të publikojnë edhe një raport nga procesi i konsultimit publik. Në rastin e konsultimeve publike gjatë draftimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore, komunikimin me shkrim dhe atë elektronik si formë obligative e konsultimit publik nuk e ka zbatuar asnjë nga nëntë (9) komunat e monitoruara, derisa obligimin për të publikuar draft dokumentin, njoftimin për konsultime publike dhe adresën e dërgimit të komenteve në faqen zyrtare të komunës dhe platformën e konsultimeve publike e kanë përmbushur pjesërisht vetëm dy (2) komuna. Nga nëntë (9) komunat e monitoruara, katër (4) prej tyre kanë organizuar nga një takim publik gjatë draftimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore, derisa këtë obligim nuk e kanë përmbushur pesë (5) komunat e tjera. Ndërsa, sa i përket dëgjimeve buxhetore me rastin e hartimit të buxhetit për vitin 2021 nga ekzekutivi i komunës, përjashtimisht Komunës së Vushtrrisë, asnjë prej komunave të monitoruara nuk ka mbajtur konsultim me shkrim. Me qëllim të ngritjes së cilësisë së konsultimeve publike, udhëzimi administrativ në fjalë ka përcaktuar obligimin për të publikuar draft buxhetin komunal, e të cilin obligim e ka përmbushur vetëm Komuna e Hanit të Elezit. Ndërsa, edhe në rastin e buxhetit, nga asnjë komunë nuk është publikuar draft-buxheti dhe njoftimi për konsultime publike në platformën e qeverisë për konsultime publike. Nga nëntë (9) komunat e monitoruara, katër (4) prej tyre nuk kanë organizuar dëgjime buxhetore, derisa dëgjime buxhetore kanë organizuar pesë (5) komunat e tjera. Ndërsa, sa i përket raportit përfundimtar të konsultimeve publike, IKD ka gjetur se këtë obligim pjesërisht e ka përmbushur vetëm Komuna e Rahovecit dhe ajo e Gjakovës”, ka thënë Shala.

Po ashtu, Shala ka thënë se në fazën e konsultimit publik të buxhetit, problematike është edhe mos publikimi i Draft-Buxhetit dhe raportit final të konsultimeve publike.

“Në të njëjtën kohë, problematike mbetet edhe publikimi i Draft-Buxhetit nga komunat e monitoruara. Publikimi i tij gjatë fazës së konsultimit publik lidhur me draft-buxhetin komunal për vitin e ardhshëm mundëson ngritjen e cilësisë së këtyre konsultimeve, pasi qytetarët e kanë mundësinë që të shohin se në parim, si është ideuar draft-buxheti për vitin përkatës. Por, nga monitorimi i procesit të buxhetimit në nëntë (9) komunat përkatëse, IKD dhe INPO gjejnë se gjatë fazës së buxhetimit, vetëm Komuna e Hanit të Elezit ka publikuar Draft-Buxhetin.

IKD dhe INPO po ashtu kanë monitoruar edhe publikimin e raporteve të konsultimit, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik për hartimin e buxhetit për vitin 2021. Me këtë rast, IKD dhe INPO gjejnë se përpos Komunës së Rahovecit e asaj të Gjakovës, e cila pjesërisht ka përmbushur këtë obligim, asnjë prej komunave të tjera të monitoruara nuk e ka publikuar këtë raport”, ka përfunduar Shala.

Në anën tjetër, Hulumtuesja e lartë në IKD, Arrita Rezniqi, ka thënë se lidhur me dëgjimet buxhetore, IKD dhe INPO gjejnë se sfidë mbetet përfshirja e qytetarëve në këto dëgjime publike, që konsiston në numrin e vogël të qytetarëve që marrin pjesë në këtë formë të konsultimit publik.

“Duket se informimi jo i mjaftueshëm i publikut për të drejtën, mundësinë dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në fazën e buxhetimit është një prej arsyeve kryesore të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në këto dëgjime buxhetore. Me këtë rast, IKD dhe INPO vlerësojnë se kjo pamjaftueshmëri e publikut për këtë proces, duhet të adresohet në mënyrë institucionale dhe strategjike, për të informuar publikun mbi të drejtën, rëndësinë dhe mundësinë për pjesëmarrje në buxhetim. Pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në dëgjime të tilla publike e ul efektin e kërkuar nga kjo formë e konsultimit publik, duke e shndërruar një formë të konsultimit me karakter të përgjithshëm, në diskutim me një grup të vogël të qytetarëve. Me këtë rast, krahas sfidave të tjerave, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, disa prej komunave dëgjimet buxhetore i kanë mbajtur në mënyrë virtuale, i cili fakt, për shkak të vështirësive teknike për qasje, krahas të tjerave, ka ndikuar po ashtu në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në këto dëgjime publike”, ka deklaruar Rezniqi.

“Në rastin e Komunës së Prishtinës, në pesë (5) dëgjimet e organizuara buxhetore, në total kanë marrë pjesë vetëm tre (3) qytetarë. Përkatësisht, nga pesë (5) prej dëgjimeve buxhetore të organizuara nga Komuna e Prishtinës, në tri (3) prej tyre nuk ka pasur asnjë pjesëmarrës, në njërin dëgjim buxhetor kanë qenë prezent dy (2) qytetar derisa në një (1) dëgjim tjetër buxhetor ka qenë prezent vetëm një (1) qytetar. Në anën tjetër, dëgjimi publik me pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve është ai i organizuar nga Komuna e Pejës për fshatrat Qyshk, Bllagaj, Lutogllavë, Llabjan, Trestenik, Ruhot, Nabërgjan dhe Katundi i ri, në të cilin dëgjim kanë marrë pjesë gjithsej 39 qytetarë. Po ashtu, IKD dhe INPO gjejnë se sfidë e këtyre dëgjimeve buxhetore është përfaqësimi gjinor. Nga të gjithë pjesëmarrësit në dëgjimet buxhetore në komunat e monitoruara, numri i pjesëmarrësve burra është mbi gjashtë (6) fish më i lartë se sa numri i pjesëmarrësve gra. Përkatësisht, nga të gjithë pjesëmarrësit në këto dëgjime buxhetore, 428 kanë qenë burra, derisa vetëm 70 kanë qenë gra”, ka thënë Rezniqi.

Sa i përket përfshirjes së kërkesave të qytetarëve në buxhetin komunal të miratuar nga komuna përkatëse, Rezniqi ka thënë se IKD dhe INPO gjejnë se shkalla e përfshirjes së kërkesave të qytetarëve në buxhetin e miratuar është shumë e ulët.

“Për më tepër, problematike është edhe mënyra e draftimit të buxhetit, në atë mënyrë që projekte të shumta emërtohen në mënyrë të përgjithshme, dhe ky fakt ka ndikuar që qytetarët dhe as ne gjatë monitorimit mos të kemi mundësi t’i identifikojmë kërkesat e qytetarëve, nëse të njëjtat janë përfshirë ose jo në buxhetin e miratuar nga komuna përkatëse. Për këtë arsye edhe në raport janë kategorizuar në një grup të veçantë, do të thotë në kategorinë nuk mund të identifikohen. Do të thotë se kjo ndikon që qytetarët të mos kenë informata të sakta se cilat projekte do të realizohen në vitin në vijim, për shkak se në buxhet nuk identifikohen saktë me emërtime specifike”, ka përfunduar Rezniqi.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin “Planifikimi i Buxhetit Komunal për vitin 2021”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)