09 Dhjetor 2022

Legjislacioni në fuqi pamundëson uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë, 17 nëntor - Duke iu referuar përpjekjeve të pasuksesshme të disa qeverive tash e disa vite për të harmonizuar pagat e sektorit publik me një ligj të vetëm, analiza e KDI-së i trajton tre çështje: i) aspektin e ndërhyrjes së qeverisë në sistemin e drejtësisë përmes këtij projekt-ligji; ii) përfshirjen e institucioneve të pavarura në kuadër të tij; si dhe iii) nevojën e përcaktimit të koeficientit të pagës. Në raport me këto çështje, KDI ka elaboruar edhe standardet dhe praktikat ndërkombëtare në lidhje me caktimin e pagave për pushtetin gjyqësor.

Projektligji për paga, vjen si një përpjekje e dytë e ekzekutivit për nivelizim të pagave në sektorin publik. Në vitin 2018, qeveria e atëhershme kishte prezantuar Ligjin për paga i cili pas hyrjes në fuqi ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo gjykatë kishte konstatuar se ky ligj nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës. Siqoqoftë edhe verzioni aktual i këtij projektligji i propozuar nga qeveria shtator 2022, ndonëse arsyeton nevojën për nivelizim të pagave në sektorin publik,  nuk ka arritur të adresojë në tërësi konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gzime Hashani nga KDI potencoi që legjislacioni në fuqi pamundëson uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç nëse kjo arsyetohet nga një situatë e jashtëzakonshme e vështirësive financiare. Meqenëse situata ekonomike dhe buxheti në Kosovë janë konsideruar nga ekzekutivi si më pozitivet viteve të fundit, ulja e pagave në sektorin gjyqësor, pavarësisht qëllimit të nivelizimit, nuk plotëson parakushtet ligjore. Për më tepër, bazuar në standardet dhe praktikat ndërkombëtare, edhe pagat në gjyqësor mund të ulen vetëm në kuadër të ulje proporcionale të pagave në gjithë sektorët dhe një standard i tillë do të duhej të reflektoj nga ky projektligj.

Në anën tjetër, Albesa Humolli nga KDI, adresoi çështjen e përfshirjes së institucioneve të pavarura në projektligji, duke potencuar që projektligji për paga përmban paqartësi në lidhje përfshirjen dhe pozicionin e institucioneve të pavarura. Në këtë drejtim, u theksua që është i domosdoshëm respektimi i pavarësisë, rregullimit specifik, natyrës e punës dhe klasifikimit të vendeve të punës brenda këtyre institucioneve. Gjithashtu edhe mos-përfshirja në këtë projektligj e ndonjërit prej institucioneve të pavarura, si në rastin e AKI-së dhe BQK-së, duhet të arsyetohet për nevojën dhe rezultatin që do të sjellë ky përjashtim.

Tutje, Humolli përmend se mangësi e projektligjit për paga është edhe mungesa e përcaktimit të vlerës monetare të koeficientit. Humolli e sheh si problematike përcaktimin e vlerës së koeficientit nëpërmjet Ligjit vjetor të Buxhetit, meqenëse kjo e cenon parimin e parashikueshmerisë së këtij projektligji. Për më tepër, mosnjohja e vlerës së koeficientit krijon pasiguri juridike edhe tek subjektet të cilat i nënshtrohen këtij projektligji, si dhe pamundëson përcaktimin e kostos buxhetore të vetë ligjit.

Në fund, u ritheksua që në kuadër të përpjekjeve të ekzekutivit për nivelizim të pagave në sektorin publik, duhet medoemos të merren parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikat dhe standardet ndërkombëtare – në mënyrë që të shmanget mundësia që ky projektligj të jetë sërish objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të shfuqizohet nga po e njëjta.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)