23 Prill 2024

Kryetari Glauk Konjufca fton afaristët gjermanë të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 29 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi sot një grup të afaristëve të Gjermanisë, të cilët janë duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

Gjatë bashkëbisedimit me afaristët gjermanë, kryetari Konjufca tha se Kosova e sheh Gjermaninë si partner të rëndësishëm për investime dhe vlerësoi se nëpërmjet legjislacionit mund të kontribuohet për ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Në takim, kreu i Kuvendit përmendi edhe ndihmën që Gjermania i ka ofruar popullit të Kosovës gjatë viteve nën okupim të regjimit serb dhe gjatë luftës së vitit 1999.

Konjufca theksoi domosdoshmërinë që të krijohen vende pune në Kosovë, prandaj partneriteti me Gjermaninë është i rëndësishëm.

“Papunësia në Kosovë tradicionalisht ka pasur një përqindje bukur të lartë. Pikërisht për këtë arsye edhe migrimi është shumë i madh. Është e domosdoshme për ne që të krijojmë vende të punës në Kosovë, por për ta arritur këtë është i nevojshëm absorbimi i investimeve në vendin tonë, prandaj ju shohim si partnerë shumë të rëndësishëm”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Para afaristëve gjermanë Konjufca theksoi se të gjitha vendet demokratike duhet të jenë sa më të bashkuara në vitet e ardhshme, në mënyrë që të tejkalohen krizat, të cilat do të jenë si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë po tregon se në vitet e ardhshme e gjithë bota do të përballet me një krizë e cila do ta prekë edhe vendin tonë, por së bashku do ta kalojmë çdo sfidë”, tha Konjufca.

Kryesuesja e delegacionit të afaristëve gjermanë, Sarna Roser, duke folur për përparimin e Kosovës në aspektin ekonomik, tha se kjo vizitë do të nxisë afaristët e rinj që të vijnë të investojnë në Kosovë.

Ajo shtoi se gjatë vizitës do të takohen edhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe përfaqësues të bizneseve kosovare, për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.​ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)