09 Shkurt 2023

Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Investitorëve

Prishtinë, 5 dhjetor - Rritja e mëtejme e bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik në vend, ishte tema e takimit të sotëm të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Këshillin Evropian të Investitorëve (European Investors Council).

Reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit të investimeve dhe të të bërit biznes në Kosovë, si dhe për rritjen e punësimit, u theksuan nga Kryeministri Kurti.

Ai potencoi se World Justice Project e ka renditur Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit dhe në vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit.

Duke theksuar rritjen e pashembullt ekonomike të Kosovës (10.7 %), e cila është më e larta në rajon dhe më e madhja që nga paslufta e Kosovës, si dhe rritjen e GDP-së, Kryeministri i falënderoi investitorët për kontributin e dhënë në këtë rritje.

Në këtë bashkëbisedim u veçuan reformat legjislative, si dhe zgjidhjet konkrete për tërheqjen e investimeve.

Në takimin e përbashkët me Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve (EIC), Emrush Ujkani dhe përfaqësues të EIC u theksua se dialogu i hapur, konstruktiv dhe i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe investitorëve, do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të investimeve në Kosovë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte.

Në Këshillin Evropian të Investitorëve, anëtarë nderi janë Zyra e BE-së në Kosovë, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (Luksemburg), si dhe ndërmarrjet e kompanitë evropiane nga industria bankare, telekomunikacioni, sigurimet, industria automotive, industria plastike, shoqëritë audituese, industria farmaceutike, industria e energjisë, tekstilit dhe industria e transportit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)