23 Tetor 2021

Komunat nuk zbatojnë planin e prokurimit konform kërkesave ligjore

Prishtinë, 22 shtator - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO) në kuadër të projektit “Kërkesa për komuna Transparente dhe Llogaridhënëse: Monitorimi i prokurimit publik dhe fuqizimi i qytetarëve për të sjellë ndryshime pozitive”, të mërkurën kanë publikuar raportin “Planifikimi i Prokurimit (Monitorimi i procesit të planifikimit të prokurimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Gjilan, Hani i Elezit, Junik, Pejë, Prishtinë, Rahovec dhe Vushtrri)”.

Ky raport vjen si rezultat i monitorimit të planifikimit të prokurimit për vitin fiskal 2020, përkatësisht implementimin e planeve përfundimtare të prokurimit, të cilat komunat çdo vit janë të obliguara t’i hartojnë.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, kërkohet që brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas shpalljes së legjislacionit mbi përvetësimet për një vit fiskal, çdo autoritet kontraktues të përgatisë, në rast të një autoriteti publik apo një ndërmarrje publike duhet t’i dorëzojë Agjencisë Qendrore të Prokurimit (tutje AQP), një planifikim përfundimtar me shkrim që i identifikon me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti kontraktues synon t’i prokurojë gjatë vitit të tillë fiskal.

Tutje, ligji kërkon që planifikimi i prokurimit për kontrata të furnizimit, shërbimeve dhe punëve të jetë i detajuar.

Kërkesën ligjore që plani i prokurimit të dërgohet në AQP brenda 15 ditëve pas shpalljes së legjislacionit mbi përvetësimet për një vit fiskal e kanë zbatuar të gjitha komunat e monitoruara, përveç Rahovecit e cila Planin e ka dërguar më 06.03.2020, apo 13 ditë para se të miratohej Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2020.

Nga monitorimi nëse planet e prokurimit të komunave i përmbushin kërkesat ligjore rezulton se asnjëra komunë nuk e harton planin e prokurimit konform kërkesave të LPP-së, RrOUPP-it dhe Formularit B01.

Mangësitë më së shumti janë evidente tek aktivitetet për furnizim ku sasitë dhe njësitë për këto aktivitete nuk plotësohen fare nga komunat, ose edhe ato komuna që i kanë plotësuar nuk i kanë vendosur të dhënat e sakta.

Përveç komunave të Pejës, Prishtinës dhe Vushtrrisë, të cilat nuk kanë vendosur asnjë të dhënë rreth sasive apo njësive, komunat tjera janë munduar që t’i plotësojnë këto kërkesa, mirëpo gjatë hulumtimit rezulton që ato të dhëna janë të pasakta dhe kryesisht shabllone.

IKD dhe INPO kanë monitoruar pesë aktivitetet e para të prokurimit për furnizim, që kanë iniciuar komunat e monitoruara, për të parë se a respektohet plani i prokurimit për këto aktivitete. Rezultatet e monitorimit dëshmojnë se në asnjërën komunë sasitë dhe njësitë nuk kanë qenë të njëjta si në plan ashtu edhe gjatë fazave tenderuese.

Në fakt, vërehet që komunat kanë përdorur “shabllone” të ndryshme vetëm sa për t’i mbushur kolonat ku kërkohen sasitë dhe njësitë, sepse gjatë fazës tenderuese ose ajo njësi dhe sasi s’ka të bëjë fare me atë furnizim ose nuk është e vetmja, përkatësisht është shumë më e madhe.

Në analizën nëse planet e prokurimit të komunave të monitoruara janë të bazuara në buxhet, respektivisht a kanë mbulueshmëri buxhetore për vitin 2020, IKD dhe INPO kanë krahasuar koston totale të projekteve për punë që kanë planifikuar komunat dhe buxhetin që kanë në dispozicion për vitin 2020.

Të gjeturat dëshmojnë se asnjëra nga komunat e monitoruara nuk e kanë vlerën e aktiviteteve të planifikuara të njëjta me kapacitetet buxhetore që komuna ka në dispozicion për ato aktivitete. Përderisa Komuna e Vushtrrisë ka më shumë buxhet se sa vlera totale e aktiviteteve për punë të planifikuara, komunat e tjera kanë planifikuar projekte për punë pa pasur buxhet për zbatimin e tyre.

Monitorimi ka vazhduar me identifikimin, në buxhetin 2020, të aktiviteteve për punë që komunat e monitoruara kanë planifikuar, pra, është analizuar nëse aktivitetet e planifikuara për punë janë të identifikueshme në buxhet.

Përveç Komunës së Vushtrrisë, ku të gjitha projektet për punë mund të identifikohen në buxhet, komunat tjera kanë projekte që fare nuk mund të identifikohen në buxhetin 2020, ndërsa Komuna e Gjilanit, Prishtinës dhe Pejës kanë kode të përgjithshme buxhetore të cilat pamundësojnë identifikimin e aktiviteteve të planifikuara në buxhet.

Objekt i monitorimit kanë qenë edhe pesë aktivitetet e para për punë që kanë iniciuar komunat, me kohëzgjatje një deri tre vite.

Më saktësisht është monitoruar nëse financimi i këtyre aktiviteteve  është i mbështetur në Kornizën Afatmesme Buxhetore të komunave, përkatësisht a përgatitet Korniza konform kërkesave ligjore dhe kapaciteteve buxhetore të komunave.

Komuna e Gjilanit dhe ajo e Rahovecit kanë të miratuar KAB-in me atë përmbajtje në të cilën nuk mund të identifikohen fare projektet kapitale.

Ndërsa Komuna e Deçanit asnjë nga projektet e identifikuara nuk i ka të parapara në KAB. Komuna e Gjakovës, Prishtinës dhe Vushtrrisë kanë nga një aktivitet i cili nuk mund të identifikohet në KAB. Në përgjithësi vërehet një mosrespektim i KAB-it gjatë fazave tenderuese lidhur me aktivitetet për punë me kohëzgjatje një deri tri vite.

IKD dhe INPO kanë analizuar mënyrat se si komunat e vlerësojnë tregun gjatë planifikimit të prokurimit dhe gjetjet dëshmojnë se komunat kanë mangësi në vlerësimin e tregut dhe këto mangësi lidhen me metodat ose mënyrat e vlerësimit të tregut, përkatësisht kufizimi në vetëm një metodë vlerësuese dhe mosbashkëpunimi i kënaqshëm në mes zyrave të prokurimit dhe njësive kërkuese.

Përfundimisht, komunat nuk kanë arritur të hartojnë planin e prokurimit në përputhje me kërkesat ligjore si dhe nuk kanë arritur që planin e prokurimit ta zbatojnë ashtu siç e kanë planifikuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2021

- Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK organizon diten e dytë të edicionit te 10-të të festivalit të teknologjisë “KosICT”. (Ambientet e “ITP Park” në Prizren, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Shfaqet video programi "Pranverë e përhershme, behar i vonuar" nga Protocinema në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi. (Kino Lumbardhi, ora 12:00)

- Mbahet dita e dytë e edicionit te tretë te festivalit Lahuta, Okarina Polifionia. (Ambientet e Qendrës për zhvillimin e kultures tradicionale në Prishtinë, Rruga Xheladin Hana nr. 98, ora 15:00)