22 Shtator 2021

Hapet muaji i rinisë me mundësi të punës praktike për 900 të rinj

 
Prishtinë, 3 gusht - Sot, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në partneritet me zyrën e UNICEF-it në Kosovë shënoi Muajin e Rinisë përmes fazës së dytë të Programit të Punës Praktike “Kosovo Generation Unlimited”, me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Të pranishëm në ngjarje ishin Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, z. Christoph Weidinger, Këshilltarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Dorotea Deshishku, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), mediat si dhe 200 të rinj.

Meqenëse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, Muaji i Rinisë është një mundësi për të vënë në pah nevojën për vendosjen e të rinjve në qendër të prioriteteve kombëtare dhe për t`iu ofruar atyre aftësitë e nevojshme për të ardhmen.

Programi “Kosovo Generation Unlimited” synon të adresojë kalimin e të rinjve nga shkollimi në punësim. Vitin e kaluar, si pjesë e fazës së parë të programit, 500 të rinj janë vendosur në pozita të punës praktike, prej të cilëve 38% janë punësuar. Sot, në shënim të Muajit të Rinisë, Zyra e UNICEF-it në Kosovë në fazën e dytë të programit “Kosovo Generation Unlimited” u ka ofruar mundësi për punë praktike 900 të rinjve në më shumë se 130 entitete private dhe publike.

Me këtë rast Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, tha se është krenar me punën e të rinjve dhe se Kosova do të investojë në potencialin e brezit të ardhshëm.

“Të flas me të rinjtë është e rëndësishme. Ne jemi krenarë me të rinjtë tanë sepse po korrin sukses në të gjitha fushat, në kulturë, në sport dhe falë këtyre sukseseve Kosova dhe simbolet tona vazhdimisht paraqiten krah për krah me shtetet e zhvilluara” tha z. Kurti.

“Sfidat tona do të zgjidhen nga ky brez i të rinjve. Më shumë se liderë të rinjtë janë subjekt i ndryshimit. Rinia ka qenë zëri i lartë që shoqëria të përparojë. Sikur më parë Kosova po investon në potencialin e brezit të ardhshëm” shtoi Kryeministri Kurti.

Ndërsa, Ambasadori i Austrisë, Christoph Weidigner, tha “Ky muaj i të rinjve është instrument i mrekullueshëm për të arritur objektivin me të rinjtë që ata të ndjekin ëndrrat e tyre. Të rinjtë janë pasuria më e madhe në Kosovë dhe më vjen mirë që Austria është mbështetja më e madhe për ta”.

Këshilltarja e MKRS-së, znj. Dorotea Deshishku, tha se “Për këtë organizim, jemi siguruar që programi i këtij muaji të promovojë dhe adresojë të gjitha ato çështje që i konsiderojmë thelbësore për një jetë më të mirë. Po fillojmë me punësimin sot, por do vazhdojmë me fusha si rekreacioni, arsimi dhe shkenca, migracioni dhe integrimi i mërgatës, vullnetarizmi, përfshirja sociale, angazhimi në komunitet, aktivizimi mjedisor dhe shëndeti mendor i të rinjve”.

Aktivitetet e Muajit të Rinisë organizohen nga data 2 gusht deri më 27 gusht, në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)