17 Janar 2022

Gastronomët në Gjilan mendojnë se nuk po trajtohen njësoj me komunat tjera

Gjilan, 14 janar - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka pritur sot në takim një grup gastronomesh të qytetit, për t`i dëgjuar vështirësitë që ata kanë për punë në kushtet e pandemisë, shkaku i kufizimeve të orarit dhe përdorimit të hapësirës.

Sipas tyre, ka dallime nëpër komuna sa i përket zbatimit të masave anti-Covid dhe sidomos ndaj lokaleve të cilat operojnë në lagjen Dardania të këtij qyteti, që janë shënjestër e inspekcionit dhe policisë.

Përndryshe, gastronomet thanë se nuk janë për t`i shkelur masat, por duan trajtim të barabartë me të tjerët, pasi që janë duke punuar vetëm sa për mbijetesë.

Njëherësh, ata kërkuan nga kryetari i Komunës që të shikojë mundësitë për ndonjë ndihmë financiare për gastronominë, pasi që kjo gjendje e ka goditur fort këtë sektor.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi i ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e gastronomeve, ka thënë se do të bëjë gjithçka që është brenda kompetencave të tij që të kërkojë trajtim të barabartë për të gjithë gastronomet.

‘Unë nuk mund të hyjë në kompetencat e institucioneve të tjera, por si ndërmjetësues do të angazhohem për të përçuar te përgjegjësit ankesat tuaja’, ka thënë kryetari Hyseni, ndërkohë që i siguroi gastronomet se për këtë çështje do t`i takojë komandantin e policisë si dhe përgjegjësin e inspekcionit. 

Përndryshe, ai i rikujtoi gastronomet se numri i të infektuarve me Covid-19 është rritur ditëve të fundit dhe se masat ekzistuese anti-Covid duhet të respektohen.   



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)