29 Mars 2024

Formohet Departament special për luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 26 janar -  Në mbledhje e rregullt, të 110-tën me radhë, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për  mbështetjen e forcimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka aprovuar Raportin e Punës së Qeverisë për vitin 2009 dhe ka miratuar vendimin për riorganizimin e Hekurudhave të Kosovës ne dy ndërmarrje të reja aksionare.         

Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të angazhimeve për luftë kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, në koordinim të plotë edhe me EULEX-in dhe institucionet tjera, ka aprovuar vendimin për mbështetjen e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në kuadër të kësaj prokurorie do të formohet departament i veçantë për antikorrupsion me 5 prokuror vendës dhe 3 ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës do të vejë në dispozicion të këtij departamenti të gjitha resurset dhe mbështetjen për funksionimin e tij. 30 hetues policorë do të angazhohen në mbështetje të këtij departamenti dhe 5 ekspertë për fushën e tatimeve dhe shpëlarjes së parave. Qeveria gjithashtu do të ofrojë gjithë mbështetjen financiare për funksionalizimin e këtij departamenti.

Prokurorëve të këtij departamenti do të ju sigurohet mbrojtje e afërt fizike, për ata personalisht dhe për familjet e tyre.               

Raporti Vjetor i Qeverisë së Republikës së Kosovës paraqet zhvillimet dhe të arriturat kryesore të Qeverisë dhe progresin gjithëpërfshirës të shoqërisë sonë për vitin 2009. Përmes këtij raporti vjetor, Qeveria e Republikës së Kosovës paraqet punën dhe arritjet e saj drejt realizimit të synimeve dhe objektivave për një Kosovë – shtet të qytetarëve, në përputhje me parimet demokratike, me një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, shtet i sundimit të ligjit, dhe një Kosovë të përkushtuar qartë në drejtim të proceseve për integrime evropiane, euroatlantike dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, nëpërmjet përmbushjes së kushteve dhe standardeve më të larta të përgjegjësisë dhe të transparencës. Ky Raport do të përcillet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës do të kërkojë debat në Kuvend në lidhje me raportin e Punës së Qeverisë gjatë viti 2009.

Duke u bazuar në Ligjin mbi Hekurudhat në Republikën e Kosovës, Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin mbi ristrukturimin e Hekurudhave të Kosovës. Hekurudhat e Kosovës do të organizohen, në të ardhmen, në dy kompani të pavarura si shoqëri aksionare. 1) Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës Sh.A., e cila është e ngarkuar me menaxhimin, mirëmbajtjen, përmirësimin, renovimin dhe ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, si dhe 2) Operimet me Trena të Hekurudhave të Kosovës Sh.A., e cila është e ngarkuar me menaxhimin, mirëmbajtjen e mjeteve lëvizëse dhe ofrimin e shërbimeve të transportit hekurudhor të udhëtareve dhe atij të mallrave.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit, për të rialokuar mjetet e mbetura të Fondit për rindërtimin e objekteve fetare të dëmtuara gjatë trazirave të marsit 2004, për të përfunduar projektet e papërfunduara.

Qeveria ka ndarë 50.000 euro për të mbështetur familjet e atyre që kanë pësuar, dhe të lënduarit nga një aksident i komunikacionit në afërsi të Vjenës, në Austri, në të cilin kanë humbur jetën 6 qytetarë të Kosovës dhe shumë të tjerë janë lënduar rëndë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)