17 Janar 2022

FMN: Ekonomia e Kosovës u rrit me 7.5 për qind në vitin 2021

Prishtinë, 12 janar - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se e nxitur nga shkalla e përmirësuar e vaksinimit, rivendosja e lirisë së lëvizjes, veprimet politike dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga diaspora, ekonomia e Kosovës po ripërtërihet nga recesioni i saj më i thellë në një dekadë.

Në raportin për Kosovën thuhet se pas tkurrjes prej 5.3 për qind në vitin 2020, Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) real parashikohet të jetë rritur me 7.5 për qind në vitin 2021. Përgjigja fiskale ndaj pandemisë siguroi rrugë shpëtimi për familjet dhe kompanitë dhe zbuti ndikimin e goditjes tek ata që u prekën më shumë nga pandemia.

Fondi thekson se politika fiskale u vu në një pozicion pothuajse të balancuar në vitin 2021 nga një deficit prej afërsisht 8 për qind të GDP-së në vitin 2020.

Raporti thekson se vështirësitë ekonomike u kompensuan më shumë nga të hyrat e jashtëzakonshme nga diaspora dhe rritjet e qëndrueshme të kredive për sektorin privat. Inflacioni në vitin 2021 duket të jetë rritur në më shumë se 5 për qind për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Me rezerva të kapitalit dhe likuiditetit si dhe shkallë të ultë të kredive me probleme, sektori bankar ka qenë i qëndrueshëm në përgjithësi, thuhet në raport.

Aktiviteti ekonomik parashihet të rritet me 3.8 për qind në vitin 2022, i nxitur pjesërisht nga ‘momentumi’ i fortë ekonomik në vitin 2021, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se pandemia vazhdon të paraqesë rrezikun kryesor, por pasojat e saj tani pritet të jenë më të pakta, pasi të hyrat nga diaspora qenë më të mëdha sesa pritej. Politikat strukturore, përfshirë luftimin e informalitetit dhe krijimin e kushteve për ekonomi të gjelbër, mund të zbusin efektet afatgjata të pandemisë.

Në raport kërkohet forcimi i transparencës së shpenzimeve dhe përcaktim më i mirë i veprimeve të synuara të politikave në kuadër të "Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike" dhe ligji i ri për pagat publike duhet të përmbajë faturën e pagave brenda kufirit ligjor. Rreziqe të tjera fiskale përfshijnë rishikimin e vazhdueshëm të ligjit për pagat dhe rregullimin e çështjes së përfitimeve të veteranëve të luftës, të cilat vazhdojnë të shkelin kufirin ligjor prej 0.7 për qind të GDP-së.

Fondi mes tjerash thekson se ndër përparësitë fiskale afatmesme duhet të jenë zgjerimi i bazës tatimore dhe forcimi i transparencës fiskale, ndërsa të ardhurat e paplanifikuara të siguruara nga diaspora duhet të përdoren për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës sociale dhe ekonomike.

Në raport theksohet se të hyrat nga diaspora nuk mund të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike dhe se shtimi i burimeve të kësaj rritjeje, kërkon përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e investimeve publike dhe që sistemi arsimor të përshtatet me nevojat e ekonomisë.

Synimet e Kosovës për të reduktuar emetimet e karbonit janë të lavdërueshme, thuhet mes tjerash në raport në të cilin nënvizohet se përparësi është instalimi i filtrave në termocentralet me bazë linjiti në bashkëpunim me BE-në.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)