01 Dhjetor 2022

BE-ja kontribuon me 5.25 milionë euro në buxhetin e Kosovës

Prishtinë 28 shtator - Komisioni Evropian i transferoi sot buxhetit të Kosovës edhe 5.25 milionë euro të tjera për ta ndihmuar atë në zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 dhe rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Transferi i sotëm sjell mbështetjen e drejtpërdrejtë të BE-së për buxhetin e Kosovës në kuadër të kontratës së qëndrueshmërisë të nënshkruar në vitin 2020, në një total prej gati 26 milionë euro.

“Përderisa më e keqja e krizës pandemike është pas nesh, Kosova dhe BE-ja janë prekur nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Përmes kësaj pagese të mbështetjes buxhetore ne ndihmojmë likuiditetin financiar të Kosovës për veprimet e ndërmarra për të mbështetur bizneset e vogla, bujqësinë dhe grupet e cenueshme, të përballen me vështirësitë financiare në gjendjen aktuale”.

Mbështetja buxhetore është një formë e mbështetjes së BE-së, ku BE-ja shpërblen qeveritë për progresin që bëjnë në zbatimin e strategjive të tyre dhe në arritjen e objektivave që i kanë vendosur vetes.

Pagesa e mëparshme e BE-së në lidhje me kontratën e qëndrueshmërisë ishte 20.5 milionë euro, e disbursuar në dhjetor 2020.

BE-ja inkurajon qeverinë e Kosovës që të adresojë dobësitë në sistemin e asistencës sociale për të targetuar më mirë familjet e varfëra, disa prej të cilave aktualisht nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga ky sitem.

Meqenëse të ardhurat e disponueshme zvogëlohen veçanërisht për grupet e cenueshme, alokimet buxhetore për sistemin e asistencës sociale duhet të jenë të orientuara mirë dhe në mënyrë transparente.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2022

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për fushat që janë në fushëveprim të Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

- Ne kuadër të Ditës botërore të luftës kundër sëmundjes së HIV/AIDS, Drejtoria e Shëndetësisë organizon hapjen e Qendrës Mobile për testim me ç’ rast Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë Izet Sadiku do të vizitojnë këtë qendë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton kërkesat buxhetore të institucioneve që i raportojnë Komisionit, lidhur me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës organizon një panel diskutimi me temë “Barazia - Dita Botërore e HIV/AIDS” me akterët relevant të kësaj teme. (Salla e amfiteatrit në objektin e Qendrës së Studenteve, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston dëshmitare nga ZRRE për periudhën 2013-2017 dhenga KEK për periudhën 2018-2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas. (Objekti i Agjencisë, ora 13:00) 

- Forumi i Gruas i LDK-së mban konferencë për medie. Tema e konferencës është vrasjet e grave dhe nevoja urgjente për reagim institucional e shtetëror. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zhvillon një vizitë në Strehimoren në Prizren. (Strehimorja në Prizren, ora 14:30)

- Kolegji AAB organizon ceremoninë e ndarjes së Çmimit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime, politikanes së njohur gjermane, ish deputete në Parlamentin Evropian, zonjës Doris Pack. (Teatrin AAB “Faruk Begolli”, ora 15:00)

- Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist organizon protestë për të kërkuar që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 16:00)

- Galeria 17 organizon hapjen e ekspozitës "In the making", nga Yll Xhaferi dhe DYVO. (Galeria 17, ora 18:00)

- Mbahet hapja solemne e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Art Without Limit International Film Festival” edicioni i 3 -të. (Kino Armata, ora 19:00)