20 Maj 2022

Bashkëpunimi transatlantik do të lehtësojë sfidat aktuale ekonomike

Washington, 13 maj - Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka është pritur në Uashington nga zëvendëssekretarja e Shtetit Amerikan Wendy Ruth Sherman, së bashku me disa drejtorë të tjerë të odave amerikane të Evropës.

Zëvendëssekretarja e Shtetit Amerikan Sherman tha se Departamenti i Shtetit Amerikan ofron asistencë teknike për të gjitha shtetet për krijimin e mekanizmave për filtrimin e investimeve.

Delegacioni ka pasur takim në Capitol Hill me senatorin Thom Thillis, i cili së fundmi ka vizituar edhe Kosovën. Senatori Thillis foli për nevojën e tejkalimit të sfidave politike në Ballkanin Perëndimor, veçmas në Bosnjë e Hercegovinë, derisa theksoi besimin e tij që të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën, të bëhen pjesë e nismës për treg të përbashkët rajonal.

Në takimet me zyrtarët e lartë amerikanë është diskutuar për sfidat aktuale ekonomike, siç janë sfidat që lidhen me zinxhirët e furnizimit pas pandemisë COVID19 dhe së fundmi edhe luftës në Ukrainë, inflacionin e përhapur gjithandej, sigurinë e cenuar të ushqimit dhe energjisë, jostabilitetin e bursave dhe praktikat jokonkurruese të Kinës që, po ashtu, ndikojnë në çrregullime të tregjeve.

Ishte konkluzion i përbashkët se agresioni rus, i cili është denuar fuqishëm edhe nga rrjeti i odave amerikane të Evropës ka ndikuar në rritjen e unitetit transatlantik, dhe se kjo së bashku me bashkëpunimin e fuqizuar ekonomik, do të lehtësojë edhe sfidat aktuale ekonomike.

Delegacioni është takuar edhe me Diane Farrell, zëvendës nënsekretare e Departamentit të Tregtisë, me ambasadorin Jayme White, zëvendëspërfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Tregti (USTR), si dhe me lidershipin e organizatës APCO Worldwide, përfshirë edhe Jess O’Connel dhe Susan Molinari.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 maj 2022

- Për herë të parë në Kosovë organizohet Dita Internacionale të Burimeve Njerëzore. (Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik,  ora 9:30)

 - Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton rreth performances së përgjithshme të Kosovës në fushën e energjisë elektrike ne raport me kërkesat e Komunitetit të Energjisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj marrin pjesë në ceremonisë së betimit  të ushtarëve të rijnë  FSK-së. (Kazerma e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin e Venecias për Vetting. (Kabineti i kryetarit, ora 11:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimeve)

- Në shënim të përvjetorit të masakrës së Dubravës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me studente nga Universiteti i Prishtinës, zhvillon një vizitë në Dubravë. (Dubravë, ora 11:30)

- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës organizon protestë. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 13:00)

- Në kuadër të Ditëve të Gjuhës Gjermane organizohet piknik me poezi. (Pakru i qytetit të Prishtinës, ora 15:00)

- Në vazhdën e aktivitete për promovimin e lëvizjes së lirë nëpër Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me “Qendra Marrëdhënie” në Tiranë, organizojnë aktivitetin “Festë n ‘ Rrugë” për të përjetuar së bashku lirimin e rrugëve afër shkollave për të mirën e fëmijëve tanë dhe gjithë komunitetit përreth. (Rruga “Zejnel Salihu”, përball Shkollës Fillore “Elena Gjika”, ora 17:00)

- Mbahet koncerti përmbylles i Ditëve të Gjuhës Gjermane. (Amfiteatri i Biblotekës Universitare, ora 19:00)