24 Maj 2022

Auditorja Spanca kërkon zvogëlimin e pagës për 12 mijë euro më pak në vit

Prishtinë, 7 tetor - Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj nga rreth 3 mijë 800 euro me shtesa në 2 mijë e 800 euro ose 12 mijë euro më pak në vit.

Kërkesa për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm, e shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për Pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.

Me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores, Spanca deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.

“Për shkak të rrethanave ekonomike kam menduar që do të ishte e drejt paga ime të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Spanca gjatë paraqitjes së kërkesës, përcjell KP.

Gjatë raportimit, Spanca tha se me marrjen e pozitës së re, ka marrë vendim për uljen e pagave për disa pozita, derisa pozitën e këshilltarit për media e ka shuar.

Deputeti Eman Rrahmani nga LVV-ja ka përgëzuar auditorin e përgjithshme për kërkesën e saj sa i përket zbritjes së pagës.
“Paga e lartë që ka qenë deri tash për këtë pozitë, vërtet ka qenë pagë e lartë”, tha Rrahmani.

Sa i përket kësaj kërkese për pagat e larta, shqetësim lidhur me këtë pati deputeti, Mërgim Lushtaku nga PDK, kërkoi miratimin e Ligjit të Pagave, që siç tha ai e rregullon këtë fushë.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK ka kërkuar që mos të zbriten edhe pagat e auditorëve, krahas uljes së pagës së Auditorit të Përgjithshëm për të cilën tha se duhet të jetë konform pagës në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK, theksoi se është një shembull i mirë kur zyrtarët publik kërkojnë zbritjen e pagave, teksa shtoi se Projektligji për Paga që qëndron në sirtarët e Qeverisë, e rregullon këtë çështje por që duhet të miratohet.

“Me një individ ne asgjë nuk mund të bëjmë. Por qeveria duhet sa më parë ta miraton ligjin e pagave. Kjo është një praktikë e mirë nga auditorja, por në përgjithësi duhet të ketë një barazi mes sektorëve dhe pozitave”, tha Lekaj.

Duke iu përgjigjur kryetarit të komisionit, Armend Muja për audutimin e RTK-së, Spanca ka thënë se tash e tutje edhe do të auditojë edhe pasqyrat financiare të RTK-së.
Për këtë, ka reaguar deputeti Pal Lekaj, i cili tha se nuk duhet bërë presion transmetuesit publik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)