19 Prill 2024

Auditori identifikon mangësi në procesin e financimit të organizatave joqeveritare

Prishtinë, 3 korrik - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”.

Auditimi kishte për qëllim vlerësimin nëse procesi i financimit të organizatave joqeveritare është menaxhuar si duhet, ofron transparencë të plotë, është konkurrues dhe arrin qëllimet e synuara të institucioneve publike.

Subjekte të këtij auditimi kanë qenë  Zyra e Kryeministrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e financimit të organizatave joqeveritare nga institucionet publike të audituara, të cilat rrezikojnë llogaridhënien, transparencën, konkurrencën dhe arritjen e qëllimeve të synuara.

Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike kanë realizuar financime direkte të projekteve të ndryshme pa thirrje publike, pa plotësimin e kritereve dhe vetëm me vendime të udhëheqësve, krerëve të drejtorive dhe departamenteve përkatëse.

Për më tepër organizatat joqeveritare janë përkrahur nga më shumë se një burim i financimit publik për projektin e njëjtë nga institucionet publike, ishin financuar operator ekonomik të cilat nuk ishin organizata joqeveritare, si dhe kishte raste të konfliktit të interesit.

Një çështje me theks të veçantë është dështimi në vlerësimin e rezultateve për projektet e financuara, si pasojë e mungesës së monitorimit të projekteve. Institucionet publike nuk kanë arritur të monitorojnë ecurinë e projekteve dhe organizatat joqeveritare nuk janë mbajtur përgjegjës për zbatimin e projekteve.

Si rezultat, nuk ka një vlerësim nëse janë arritur qëllimet e synuara dhe nëse fushat e caktuara janë përmirësuar nga financimet e dhëna për organizatat joqeveritare.

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka bërë përpjekje që të bëjë publikimin e të dhënave mbi financimet e projekteve të organizatave joqeveritare në uebfaqe dhe të bëjë menaxhimin e bazë së të dhënave në nivel të kënaqshëm.

Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk kanë pasqyruar të dhënat e financimit përmes raporteve vjetore. Mungesa e raportimit dhe monitorimit të projekteve ka pamundësuar vlerësimin nëse janë arritur rezultatet e synuara për projektet e financuara.

Rezultatet e këtij auditimi theksojnë nevojën për përmirësimin e procesit të financimit të organizatave joqeveritare nga institucionet publike në nivelin qendror dhe lokal.

Auditor i Përgjithshëm, Besnik Osmani,  lidhur me këtë auditim ka deklaruar se institucionet publike që përkrahin organizatat joqeveritare kanë një rol të rëndësishëm që përmes një financimi të duhur dhe transparent të OJQ-ve të përmirësojnë jetën qytetarëve në fusha të ndryshme ekonomike-sociale.

Megjithatë, mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin një shqetësim për menaxhimin e procesit të financimit të organizatave joqeveritare dhe transparencën nga institucionet publike.

Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve rreth menaxhimit të procesit të financimit të organizatave jo-qeveritare si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë nëntë rekomandime për Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe për Komunën e Prishtinës.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)