19 Prill 2024

Auditimet nxjerrin në pah mangësi në shumicën e organizatave buxhetore

Prishtinë, 13 shtator - Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca është pritur sot në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të cilit ia ka dorëzuar edhe formalisht Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Auditorja e Përgjithshme e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit se auditimet e vitit 2020 kanë nxjerrë në pah një sërë mangësish në shumicën e organizatave buxhetore, të cilat karakterizojnë një menaxhim të dobët të fondeve buxhetore.

 Më tutje, znj. Spanca ka theksuar nevojën për forcimin e kontrolleve në raportimin financiar dhe një qasje më të fokusuar në zgjidhjen dhe adresimin e problemeve të identifikuara.

Shqetësuese vazhdon të mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve. Ndonëse përpjekjet e koordinuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit kanë filluar të japin efekte pozitive, është rritur përqindja e rekomandimeve të zbatuara nga 40% në vitin 2019, në 45% për vitin 2020, përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve.

Po ashtu Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka informuar kryeparlamentarin për planet e ardhshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Përveç auditimeve të obligueshme, do të vazhdojë të përfshijë në portofolin e auditimit Ndërmarrjet Publike që paraqesin një shkallë më të lartë të rrezikut, si dhe tek auditimet e performancës do të përzgjedh fusha dhe tema me interes për publikun.

Në takimin me kryeparlamentarin, znj. Spanca ka theksuar nevojën për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, duke theksuar se ky ndryshim do të mundësonte përzgjedhjen e auditimeve duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike.

U diskutua edhe çështja e akomodimit të ZKA-së në pronë publike meqë aktualisht është duke operuar në një pronë private. Auditorja e Përgjithshme, ka thënë se një Institucion Suprem i Auditimit, i mandatuar për tu kujdesur për paranë publike shpenzon një shumë të konsiderueshme të parasë publike në qiradhënie.

Kjo përveç që zbeh kredibilitetin e institucionit tonë, paratë e dedikuara për qiradhënie do t’i ishin shfrytëzuar për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, si dhe ka shprehur mbështetjen për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)