19 Prill 2024

Atdhe Hykollit zgjedhet kryetar i BSPK-së

Prishtinë, 2 tetor - Në ambientet e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë është mbajtur Kongresi i tetë zgjedhor i  Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ku besimin e rreth 150 delegatëve të BSPK-së e mori prof. dr. Atdhe Hykolli.

Këtë ngjarje të veçantë për gjithë sindikalistët e vendit tonë e ka shpallur të hapur kryetari Avni Ajdini, i cili ka përshëndetur mysafirët dhe delegatët e Kongresit.

Ai pastaj ka shpalosur  fragmente nga angazhimet dhe aktivitetet e kësaj Konfederate duke treguar se  janë bërë përpjekje të përbashkëta të gjithë Federatave anëtare, por  në misionin  tonë sindikalistë na presin edhe shumë sfida e shumë angazhime në shërbim të anëtarësisë.

Kishte ardhur ta nderojë këtë ngjarje të madhe edhe Kryeministri i Republikës së  Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kujtuar rrugëtimin e sindikatave nëpër dekada dhe ka premtuar se Qeveria që ai drejton do të jetë e hapur për dialogun social dhe se do të bëhet gjithë angazhimi për pagën minimale, që ajo të jetë fillimisht 250 euro dhe se do të shtohet edhe numri i inspektorëve që do të kujdesën që punëtorët të kenë mbrojtjen e duhur dhe të realizohen kërkesat e tyre.  

Me fjalë përshëndetëse e me premtimin se do të vazhdojnë bashkëpunimin me sindikalistët e Kosovës  janë prezantuar edhe mysafirët ndërkombëtar të  Kongresit  Steven McCloud nga SHBA, Mahmut Arsllan nga Konfederata turke HAK-IS, Kemail Bakindi nga TOLEYIS e Turqisë, Gëzim  Kalaja  nga BSPSH dhe Kolë Nikolla nga KSSH e Shqipërisë, Darko Dimovski nga SSM dhe Slobodan Antonovski UNASM e Maqedonisë së Verut, Sergja Kekoviq nga UFTUM e Malit të Zi  dhe Jonilda Rapaj nga sindikata Egitim Bir Sen e Turqisë.

Pas kësaj Komisioni kandidues ka raportuar para delegatëve duke treguar se kandidati për kryetar prof. dr. Atdhe Hykolli ka marrë mbështetjen e SBASHK-ut dhe të shumë federatave të tjera dhe prandaj janë plotësuar kushtet që ai të merr mandatin e kryetarit të ri të Konfederatës përmes votës së lirë e të fshehtë të delegateve e delegatëve të nderuar.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj  ka falënderuar Federatat, që i  kanë dhënë mbështetjen  Atdhe Hykollit  duke u shprehur i bindur se ai do të jetë zë i fuqishëm i  gjithë anëtarësisë  duke argumentuar këtë me titullin akademik që ai ka, por edhe me prezantimin dinjitoz në SBASHK-ut në shumë takime ndërkombëtare.

 “Atdheu do të jetë në ballë të angazhimeve sindikale dhe  do ta ketë mbështetjen e gjithë  Federatave anëtare të BSPK-së në përballje me sfidat e kohës  dhe në angazhimet  për realizimin e detyrave  në shërbim të anëtarësisë”, ka deklaruar Jasharaj.

Pas kësaj kandidati për kryetar, prof. Atdhe Hykolli ka prezantuar në pika të shkurtra  pikat kyçe ta angazhimeve  duke treguar se ndjehet  i nderuar me mbështetjen e gjithë Federatave e duke premtuar se të bashkuar  e në një front të përbashkët do të realizojmë kërkesat legjitime të anëtarësisë.

Në pjesën e  dytë të Kongresit delegatët kanë votuar për kryetarin e ri dhe për anëtarët e Komisioneve që parasheh  Statuti.

Numërimi i votave ka treguar se të gjithë delegatët i kanë dhënë besimin e tyre dhe të Federatave që përfaqësojnë  prof. dr. Atdhe Hykollit që të jetë në krye të BSPK-së.

Kryetari Hykolli ka falënderuar delegat për besimin e dhënë  duke premtuar se me mbështetjen e gjithë anëtarësisë do të vazhdojnë rrugëtimin sindikal për të realizuar objektivat  dhe për të qenë zë i fuqishëm i anëtarësinë në përpjekjet e vazhdueshme për realizimin e kërkesave legjitime sindikale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)