24 Maj 2022

56 % të bizneseve mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm

Prishtinë, 9 dhjetor - Lëvizja FOL sot ka publikuar gjetjet nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”.

Yllka Buzhala nga FOL, tha se “për të marrë vlerësimin dhe perceptimin e përvojave të bizneseve rreth prokurimit publik në Kosovë, janë realizuar 150 anketa.

Nga këta biznese, 95 ishin pjesëmarrës në prokurim publik dhe 55 nga to nuk ishin”. Sipas saj, bizneset e anketuara aktualisht konsiderojnë se situata pandemike (67%) është njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ata po ballafaqohen.

E dyta me radhë përmendet mungesa e investimeve të huaja (14%), pastaj vjen korrupsioni (9%), mungesa e fuqisë punëtore (8%) dhe burokracia e institucioneve (6%).

Megjithëse nuk e konsiderojnë korrupsionin si sfidën kyçe aktualisht, afërsisht një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura (28%), përshpejtimi i një procedure burokratike (26%), shmangia e dënimeve (23%) janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion.

Ardi Shatri nga FOL, tha se “mbi gjysma e bizneseve (56%) po ashtu mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm”.

Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria (35%), zvarritja e proceseve gjyqësore (32%) dhe mosraportimi i korrupsionit (32%).

Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore (20%), apo mungesa e vullnetit politik (19%) lehtësojnë korrupsionin.

Sipas tij, disa praktika negative që ndikojnë në procesin e prokurimit publik janë përshtatja e specifikave tenderuese për kompani të caktuara, paqartësia e informatave në tenderë, abuzimi me dispozita ligjore për përfitime apo edhe konflikti i interesit.

Nga këto praktika, bizneset e anketuara besojnë se më e përhapur është përshtatja e specifikave tenderuese (45%).

Lidhur me perceptimet se prokurimi publik është i lidhur me apo zhvillohet në përputhje me partitë politike në pushtet, 25% e bizneseve pohojnë se bizneset që fitojnë tenderë, ndryshojnë ndonjëherë pas ardhjes së një ministri/eje apo kryetari/je të ri në pushtet, e 27% mendojnë se ndryshojnë shpesh ose pothuajse gjithmonë.

Ngjashëm, rreth 31% mendojnë se akterët politikë që tregojnë mirënjohje për biznese që i kanë dhuruar para partisë apo kandidatit për fushatë shpërblehen me kontrata prokurimi pas fitimit të zgjedhjeve dhe 24% mendojnë se kjo ndodh ndonjëherë.

Shumica e bizneseve pjesëmarrëse në prokurim publik kishin fituar tenderë dhe atë disa herë dhe në vlera të ndryshme. Mbi gjysma e tyre (53%) u shprehën se kanë hasur në raste kur specifikat e tenderit janë përshtatur për biznese të caktuara.

Kurse, 31% e tyre kanë deklaruar se kanë pasur raste kur oferta e tyre për tenderim iu është refuzuar disa herë, tha Shatri.

Nga bizneset që deklarojnë se iu janë refuzuar ofertat, vetëm 18% e tyre kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm sikurse të ankohen në OSHP (26 prej tyre), të bëjnë kërkesë për rishqyrtim të tenderit (13 prej tyre), apo të bëjnë ankesë tek autoriteti kontraktues (11 prej tyre).

Ndërkaq, sa i përket asaj se sa nga bizneset e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit, Ardi Shatri tha se “rreth 61% e bizneseve që e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-në) mendojnë se ky organ funksionon si duhet”.  

Nga ato biznese që e përdorin E-prokurimin, 58% e bizneseve janë shumë të kënaqura me sistemin elektronik të prokurimit; 61% e bizneseve janë shumë të kënaqura me ndërveprimin me E-prokurimin; 59% e bizneseve janë shumë të kënaqura me funksionalitetin e dorëzimit të ofertës për tender; dhe po aq biznese janë shumë të kënaqura me lehtësinë e gjetjes së tenderëve për të cilët janë të interesuar, theksoi Ardi Shatri.

Sipas gjetjeve të kësaj ankete, duket se bizneset janë të ndara në dysh rreth përshtypjeve të tyre mbi prokurimin publik në të shumtën e rasteve që anketa ka shtjelluar.

Shatri tha se, “gjetjet tregojnë se ka ende shumë hapësirë për të përmirësuar proceset në prokurimin publik dhe për të rritur vetëdijen e bizneseve mbi mekanizmat ligjore që ekzistojnë për rregullimin e prokurimit publik”.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2022

- Koalicionit për Transparencë dhe Integritet i themeluar dhe mbështetur nga KFOS-i, do të organizojë tryezë me temën “Pazari me tema të diplomës” ku do të diskutohet lidhur me shit-blerjen e temave të diplomës. (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, ora 9:30)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës” ku të ftuar janë edhe Kryesuesi i Brodit dhe Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton raportin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit dhe Projektligjin për Akcizën në Produktet e Duhanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mban dëgjim publik për Projektligjin për Produktet Biocide. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës organizon ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve bujqësore, projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. (Stadiumi i Qytetit në Shtime, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Sanitar të Kosovës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ prezanton Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- OJQ Aktiv prezanton publikimin “Rekomandime për kornizën e politikave mbi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet debati me temën “Liritë e mediave dhe pozita ekonomike e gazetarëve në Kosovë”. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti voton raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së, të IADK-së dhe të Komunës së Shtimes vizitojnë Florije Bislimin, njëra nga përfitueset e projektit “Mbështetja në punësimin e të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë”. (Fshari Godanc në Shtime, ora 11:40)

- Në kuadër të programit dhe ekspozitës Babylonian Vision të artistes Nora Al-Badri qe qëndron e hapur në Galeria 17 mbahet diskutim me temë "Dekolonializimi i artefakteve. Demokratizimi i muzeve". (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 15:00)

- Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Rrjeti i Biznesit të Globit. (Vali Ranch në Gjilan, ora 18:30)