26 Prill 2024

4 milionë euro nga BERZH-i për KEP në Kosovë

Prishtinë, 22 dhjetor - Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka siguruar 4 milionë euro për institucionin mikrofinanciar KEP Trust (KEP) në Kosovë. Paketa e financimit, e cila mbështetet me grante dhe asistencë teknike nga Bashkimi Evropian, Suedia dhe Luksemburgu, do të mbështesë investimet për efiçiencë të energjisë dhe bizneset e udhëhequra nga gratë.

Nga kjo paketë, 3 milionë euro do të ndahen për mbështetje të investimeve për efiçiencë të energjisë në sektorin banesor, në kuadër të Instrumentit të Financimit të Ekonomisë së Gjelbër (GEFF). Pas zbatimit me sukses të këtyre masave, huamarrësit gëzojnë të drejtën për kthim në para të gatshme deri 20 për qind të investimit të tyre të përgjithshëm, falë financimit nga Bashkimi Evropian (BE). GEFF mbështetet nga BE-ja, Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Ministria Federale Austriake e Financave, dhe është pjesë e Programit Rajonal për Efiçiencë të Energjisë (REEP) për Ballkanin Perëndimor.

Kredia prej 1 milion eurosh për bizneset e udhëhequra nga gratë është siguruar në kuadër të programit të BERZH-it për Gratë në Biznes, i cili promovon ndërmarrësinë e grave dhe më gjerësisht pjesëmarrjen e grave në biznes, duke u siguruar qasje në financa dhe njohuri. Programi mbështetet nga Qeveritë e Suedisë dhe Luksemburgut.

Neil Taylor, Shefi i BERZH-it në Kosovë, tha: “Me KEP-in dhe donatorët tanë jemi duke sjellë ndryshime reale në jetën e përditshme duke u ndihmuar qytetarëve të investojnë për zgjidhje me efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre, duke ndihmuar kështu në reduktimin e emetimeve, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ndërtimin e një ekonomie dhe të ardhmeje më të gjelbër për Kosovën. Veç kësaj, jam i kënaqur që po i mbështesim gratë ndërmarrëse në Kosovë me qëllim që të promovojmë përfshirjen e tyre në ekonomi, dhe në këtë mënyrë edhe zhvillimin e vendit”.

Shpend Nura, Kryeshef Ekzekutiv i KEP, tha: “Linja e re e kredisë e ofruar nga BERZH-i do ta mbështesë institucionin tonë për rritjen e kreditimit për investime për efiçiencë të energjisë dhe do t’i mbështesë klientët tanë për investime strategjike në shtëpitë e tyre që e përmirësojnë standardin e tyre të jetesës. Po ashtu, do të mbështesim edhe gratë ndërmarrëse për investime të mëtejshme në bizneset e tyre, për ndërtimin e shkathtësive dhe për ruajtjen e vazhdimësisë së biznesit gjatë këtyre kohëve sfiduese”.

KEP Trust është institucioni më i madh mikrofinanciar në Kosovë, i organizuar si organizatë joqeveritare. KEP-i u themelua në gusht të vitit 1999 nga organizata humanitare Komisioni Ndërkombëtar Katolik i Migracionit – Zvicër, dhe Klubi i Biznesit i Prizrenit.

Që nga fillimi i operacioneve të veta në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar 545 milionë euro. Prioritetet strategjike të Bankës në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, si dhe nxitja e integrimit rajonal.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)