29 Mars 2024

Rriten deri në 216 për qind subvencionet në bujqësi

Prishtinë, 9 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve siguron rritje deri në 216 për qind.

Kjo është bërë e ditur sot në konferencën e përbashkët të Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, Faton Peci dhe Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, të cilët kanë shpalosur në detaje politikat bujqësore që parashohin rritjen e subvencioneve në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022.

Kryeministri Albin Kurti, ka treguar se Qeveria e Kosovës ka paraparë një buxhet prej afro 50 milionë euro për subvencione në sektorin e bujqësisë këtë vit, si dhe në kuadër të politikave bujqësore ai ka theksuar se e kanë rritur përkrahjen financiare për këtë sektor.

“Kemi bërë të ditur se programet e subvencionimit do të shpallen në këtë muaj  dhe nuk do kemi vonesa, por përkrahje rekorde për bujqit. Deri më tani, asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit dhe në kuadër të politikave bujqësore këtë vit ne po e shtojmë këtë përkrahje dhe buxheti për masat mbështetëse përmes Programit të Pagesave Direkte këtë vit arrin në afro 50 milionë euro nga 31 milion sa ishte planifikuar me buxhet."

"Në kuadër të përkrahjes, ne sot duke mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, do subvencionojmë naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro, si dhe krahas kësaj ata do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror në vlerë prej 8 milionë euro”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka treguar se kanë adresuar politika të duhura bujqësore për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së çmimeve përmes rritjes së mbështetjes për shumicën e kulturave të parapara në këtë program.

“Duke marrë parasysh nevojën e sigurisë ushqimore si siguri kombëtare dhe vështirësitë me të cilat po përballen bujqit dhe fermerët tanë, ndikimin e zhvillimeve në botë edhe në sektorin e bujqësisë, rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore, farërave, naftës e të ngjashme, nuk kemi qëndruar duarkryq. Në kuadër të këtij programi, kemi vendosur që mbështetjen financiare ta rrisim për shumicën e kulturave."

"Po ashtu, për herë të parë që nga paslufta, fermerëve dhe bujqve tanë do t’iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro duke iu subvencionuar vlerën prej 0.36 cent për çdo litër naftë të përllogaritur me hektarët e poseduar të tokës së punuar”, ka treguar Ministri Peci, duke shtuar se njëherit do të subvencionohen inputet bujqësore për plehërim pranveror për grurin 150 euro për hektarë ndërsa për misrin, fasulen dhe pataten me 100 euro për hectare, me një vlerë totale prej 8 milionë euro.

Ndryshe, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022, kultura e grurit do të subvencionohet me 474 euro për hektarë apo 216 për qind më shumë se vitin e kaluar, misri për 119 për qind më shumë, patatja dhe fasulja për 118%, perimet në fushë të hapur për 85 për qind, perimet në serra për 100 për qind, viçat për majmëri për 150 për qind, si dhe shumica  e kulturave tjera bujqësore që mbështeten përmes këtij programi kanë rritje të përkrahjes përmes subvencioneve.

Po ashtu, në kuadër të masave mbështetëse të këtij programi, do të subvencionohet 75% e vlerës së Primit të Sigurimit për disa kultura bujqësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)