29 Mars 2024

Qeveria do të hartoj një Strategji për menaxhim e qenve endacakë

Prishtinë, 25 janar - Prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu i kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tryezën për diskutim të Strategjisë për Trajtimin e Qenve Endacakë.

Gjendja e qenve endacakë në Kosovë dhe masat, të cilat duhet të ndërmerren urgjentisht, ishin në qendër të diskutimit të sotëm, organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, tha kryeministri, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij problemi nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive.

Kryeministri theksoi se qeveria do të dedikohet në këtë aspekt duke hartuar një Strategji Kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve, do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacak në rrugë.

Qeveria gjithashtu do të zotohet që do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore lidhur me këtë temë.

"Edhe pse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, mbështetja e nivelit qendror qoftë përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, qoftë përmes mbështetjes financiare është jetike për nivelin lokal", tha ai.

Duke potencuar rëndësinë e koordinimit, kryeministri tha të gjitha ministritë duhet të zotohen që detyrat që kanë të bëjnë me këtë tematikë t’i trajtojnë me seriozitetin më të madh.

Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal, pritet që të koordinojë dhe mbështesë nivelin lokal me ngritje të kapaciteteve për zbatimin e mirëfilltë të masave për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si një nga akterët kryesorë, pritet rishikim i akteve aktuale nënligjore, si dhe prezantimi i akteve të reja nënligjore.

Ndërsa nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, pritet që të shqyrtohen mundësitë në buxhetin aktual vjetor të Republikës së Kosovës për alokimin e fondeve për zbatimin e masave emergjente të menaxhimit të popullsisë së qenve me dhe pa pronarë, por edhe të masave tjera të propozuara në Strategjinë Kombëtare për pesë vitet e ardhshme.

Kurse, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës duhet të zotohet që të krijojë një plan për inspektimet e mirëfillta të mbajtjes së kafshëve, të projekteve të KSVL-së, si dhe projekteve të identifikimit dhe regjistrimit të qenve me pronarë, tha kryeministri Kurti.

AUVK-ja, po ashtu duhet të zotohet që konform përgjegjësive ligjore, të veprojë shpejt dhe me seriozitet për çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e popullsisë së qenve dhe të zotohet që në projektet e menaxhimit të popullsisë së qenve, të mos përfshijë veterinerë që është dëshmuar që kanë abuzuar me kafshë dhe fonde në projektet e kaluara, shtoi ai.

Nga Oda e Veterinerëve pritet që së bashku me AUVK-në dhe me Qeverinë të shpërndajnë mikroçipat dhe pasaportat e aprovuara nga AUVK, për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese.

Për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë, e për çështje të tjera të mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për bashkëpunim e këshillim edhe nga shoqëria civile.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministrat nga ministritë e linjës, udhëheqës e përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, përfaqësues të Odës së Veterinarisë si dhe përfaqësues të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Ky diskutim ndërmjet të gjithë akterëve kyçë, është i domosdoshëm për bashkërendim të veprimeve për të pasur sukses në zhvillimin dhe pastaj zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Trajtimin e Çështjes së Qenve Endacakë në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)