12 Gusht 2022

Prodhimet vendore nga toka e Kosovës në sofër të Evropës

Prishtinë, 4 gusht - Gjatë ditës së sotme, fermeri Mehdi Bresilla nga fshati Llugaxhi i komunës së Lipjanit po përgatit 200 tonë speca të llojit somborka për t’i eksportuar për në shtetin e Suedisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ishte i pranishëm në këtë aktivitet të z. Bresilla i cili po shënon edhe dërgesën e parë në drejtim të këtij shteti.

Duke parë për së afërmi punën dhe angazhimin e të gjithëve, Ministri Peci i përgëzoi për punën dhe njëkohësisht u shpreh se eksporti i produkteve tona vendore po shënon rritje çdo ditë e më shumë, për çka edhe jemi krenarë me punën e fermerëve tanë të cilët me zellin e tyre të vazhdueshëm po mbushin raftet e dyqaneve në mbarë Evropën me produkte kosovare.

Vitin e kaluar, fermeri Mehdi Bresilla përmes aktivitetit të tij bujqësor ka arritur që vetëm rendiment nga specat të vjelë rreth 170,000 kg.

Këtë vit, ai është i bindur se frytet e punës së tij do arrijnë 220,000 kg, ku nga kjo sasi 50,000 kg do të eksportohen të konservuara.

Në bashkëpunim me kompaninë “Alb Fresh” planifikon që të eksportojë edhe 100,000 kg lakër, kulturë të cilën e kultivon si kulturë të dytë pas korrjes së grurit.

Përveç kulturës së specit që zë një sipërfaqe prej 8.5ha dhe lakrës me 1 ha, ai kultivon edhe 5,2 ha me mollë, 9,3 ha me grurë, 8,7 ha me misër dhe 2,2 ha me dredhëz (e tëra e dedikuar për eksport).

z. Bresilla punëson 7 punëtorë të rregullt dhe rreth 40 punëtorë sezonal duke i kontribuar zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimit të ekonomive familjare në rrethin ku jeton.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)