01 Korrik 2022

Prezantohet raporti për ngritjen e profilit ekonomik të sektorit pyjor në Kosovës

Prishtinë, 19 maj - Sektori pyjor mund të ketë një kontribut shumë më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare të Kosovës me një pjesëmarrje prej 1 përqind në Bruto Produktin Vendor (BPV). Kontributi i përgjithshëm potencial i këtij sektorit pyjor vlerësohet prej 60 milionë deri në 100 milionë euro (0.9%-1.4% të BPV-së), apo afër mesatares globale. Ndërsa, rreth 2.3% - 3.7% e punësimit të përgjithshëm në Kosovë bazohet  në sektorin pyjor. 

Këto të dhëna janë prezantuar në një punëtori të organizuar nga programi i FAO-s për pylltari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Agjencisë së Statistikave, Ambasadës së Suedisë,  sektorit privat e shoqërisë civile. Në këtë punëtori u diskutua për aspektet e vlerësimit ekonomik fiskal të sektorit të pylltarisë në Kosovë dhe përmirësimin e profilit të sektorit. 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave aktualisht pylltaria zë 0.03% ne totalin e Bruto Produktit Vendor, shifër kjo tepër e ulët në krahasim me kontributin real të ketij sektori. Llogaritë kombëtare duhet të përmirësohen në këtë drejtim duke marrë parasysh të mirat dhe shërbimet e shumta që vijnë nga pyjet. Për këtë rekomandohet ngritja e një sistemi adekuat të dhënash financiare për sektorin pyjor i cili do të mund t’i ofronte politikëbërësve një pasqyrë më të plotë të përfitimeve që vijnë nga pyjet si dhe do të rriste vullnetin e tyre për të ndarë më shumë mjete dhe investime për këtë sektor. 

Ekspertët e ekonomisë pyjore të angazhuar nga FAO rekomandojnë: digjitalizimin e raportimit rreth shfrytëzimit të pyjeve dhe lëndës drusore, fuqizimin e kapaciteteve të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe institucioneve tjera të ndërlidhura për monitorimin e rregullt të indikatorëve që pasqyrojnë aspektin socio-ekonomik të sektorit pyjor në Kosovë, përfshirë shfrytëzimin, tregtimin e produkteve pyjore, punësimin dhe të ardhurat nga sektori 

Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha mirëpriti raportin e ekspertëve të FAO-s për vlerësimin e sektorit pyjor dhe rekomandimet e ofruara. “Sektori i pyjeve ka mundësi të gjenerojë më shumë të hyra se sa që kemi aktualisht, rreth 2 milionë euro. Ne nuk do të donim që të hyrat kryesore t’i realizojmë nga qeradhënia e tokës pyjore, por duam të investojmë më shumë në projekte kapitale që mundësojnë shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve”, tha ai. 

Pjesëmarrësit vlerësuan se studimi i prezantuar është një bazë e mirë për të punuar në përmirësimin e profilit të sektorit pyjor, përkatësisht kontributit socio-ekonomik të këtij sektori në ekonominë kombëtare.  

Raporti është përgatitur në bazë të studimit realizuar përmes programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të  përmirësuar  jetesën në vendet rurale dhe për  të adresuar  ndryshimin klimatik në  Kosovë”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë, ndërsa zbatuar nga FAO. 


 


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)