13 Qershor 2021

Politikat e reja bujqësore në harmoni me nevojat e fermerëve dhe politikat e BE-së

Prishtinë, 3 qershor - Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, në kuadër të “Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm", sot ishte pjesë e panelit diskutues me temën “Bujqësia e qëndrueshme dhe ruajtja e biodiversitetit”, e organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Zëvendësministri Demelezi gjatë diskutimeve në këtë panel ka theksuar se orientimi i politikave të reja për zhvillimin e bujqësisë do të jetë në harmoni me nevojat e shoqërisë, përkatësisht fermerëve, si dhe në pajtim me politikat e BE-së.

“Qeveria Kurti II, për herë të parë, gjatë hartimit të programit qeverisës dhe atij legjislativ, ka konsultuar çdo nivel të institucioneve, duke filluar nga divizionet, departamentet e gjithashtu agjencitë, me qëllim që të jemi sa më efikas e të dakorduar në hartimin dhe zbatimin e këtij programi qeverisës”, tha zëvendësministri Demelezi.

Ai ka treguar se MBPZhR-ja, ka dy shtylla kryesore që ndihmojnë dhe duhet të krijojnë ambient të përshtatshëm për zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural. Nga njëra anë, Programi i Zhvillimit Rural (grantet) dhe nga ana tjetër Programi i Pagesave Direkte (subvencionet).

Këto dy shtylla, sipas  zëvendësministrit duhet të zhvillohen në harmoni me qëllimet strategjike të vendit, të sektorit dhe nevojave sektoriale të fermerëve, duke përfshirë ruajtjen e ambientit, nevojat sociale të shoqërisë dhe zhvillimin ekonomik.

“Me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë, biodiversitetit, lumenjve, pyjeve, bujqësisë, zhvillimin e hapësirave rurale etj., ne si qeveri e re kemi ndërmarrë hapa që t’i plotësojmë dhe ndryshojmë disa projektligje siç janë: Ligji për Ushqimin, për Produktet dhe Mbrojtjen e Bimëve, për Gjuetinë, për Ujitjen e Tokave, për Pyje, për Tokën Bujqësore, për Bujqësi Organike etj., të cilat duhet të gjejnë zbatim në praktikë nga të gjitha institucionet përgjegjëse.''

''Sepse kjo është edhe një nga arsyet që metodologjia e hartimit të programit qeverisës dhe legjislativ është hartuar dhe koordinuar së bashku, duke përfshirë edhe praktikat e deritashme të hartimit të pjesës tjetër të strukturave rregulluese, të ligjeve, standardeve, planeve të veprimit etj”, ka thënë zëvendësministri Demelezi.

Po ashtu, ai ka theksuar se MBPZhR-ja do të jetë gjithnjë e më e hapur dhe e gatshme për të rritur bashkëpunimin me të gjithë akterët për zhvillimin e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural duke përshirë edhe ruajtjen e biodiversitetit në Kosovë dhe plotësisht transparente.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Qershor 2021 - Klubi Off Road Prizreni organizon ngjitje në Maje tek Liqenet. (Përball Qendrës Sportive ”Sezair Surroi” në Prizren, ora 10:00)
 
 - Me rastin e shënimit të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Rahovecit mbahet finalja në futboll të vogël. (Palestra Sportive“Mizahir Isma”, ora 18:00)