17 Janar 2022

Peci: Për nëntë muaj kemi avancuar politikat bujqësore si asnjëherë më parë

Prishtinë, 14 dhjetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, për të prezantuar të arriturat e deritanishme për periudhën nëntë mujore në zhvillimin dhe avancimin e politikave bujqësore.

“Gjatë kësaj periudhe kemi arritur të shlyejmë 40 milionë euro obligime financiare të trashëguara e krahas kësaj kemi mundësuar implementimin e Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve 2021 me vlerë prej 28 milionë."

"Tashmë në kuadër të implementimit të këtij programi, kanë filluar edhe pagesat për fermerët përfitues dhe deri më tani janë shtypur 19.000 vendime për pagesë. Përmes këtyre politikave ne kemi bërë të mundur që për herë të parë të fillojmë vitin pa borxhe dhe obligime financiare."

"Në këtë drejtim, ai tregoi kemi adresuar në përpikëri rekomandimet e auditorit si për MBPZhR-në ashtu edhe për AZhB-në”, tha Ministri Peci, duke shtuar se krahas gjithë kësaj kanë ekzekutuar vlerën prej 3 milionë euro për kompensimin e  dëmeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Me këtë rast, ai ka theksuar se gjatë kësaj periudhe kanë arritur që të realizojnë objektivat që për qëllim kanë përmirësimin e qasjes në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e legjislacionit dhe modernizimin e tij në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

"Kemi avancuar legjislacionin pas 9 viteve stagnimi, duke aprovuar pakon prej 19të ligjeve të harmonizuara me Ligjin për Kundërvajtje që është votuar në Qeveri, si dhe ka kaluar leximin e parë në Kuvend Ligji për Shërbime Këshillimore, Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Ligji për Pije të forta Alkoolike.

Ndërkaq, Ligjin për Pyje, e kam nënshkruar dhe e kam dërguar për pikë të Rendit të Ditës për Mbledhjen e radhës së Qeverisë.  Krahas kësaj kemi finalizuar Koncept Dokumentin për Tokën Bujqësore, si dhe Koncept Dokumentin për Verërat – në pritje të opinionit financiar”, tha Ministri Peci.

Ndër tjerash, ai ka prezantuar se gjatë kësaj periudhe kanë hartuar dhe finalizuar Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027, Strategjisë për Pylltari – 2021 – 2030 , si dhe Strategjinë për Komunikim dhe Informim në Pylltari – 2021 – 2025.

Krahas gjithë këtyre të arriturave, Ministri Peci tregoi se ka nënshkruar disa memorandume që për qëllim kanë avancimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë, duke theksuar këtu Memorandumin e  Bashkëpunimit me Universitetin e Iowes të Shkencës dhe Teknologjisë, Memorandumin e Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Memorandumin e Bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë së Shqipërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 janar 2022

-  Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projekt-Kodin e Procedurës Penale dhe projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën më temë “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  do të shënojë Janarin e Përflakur më çrast do të mbahet tribunë e hapur në të cilën do të ketë dy ligjërata "Flakadanët e lirisë" dhe Jusuf Gërvalla - Atdhetari dhe krijuesi. (Amfiteatrin i Universiteti të Gjilanit, ora 11:00)  

- Partia Socialdemokrate do të mbaj konferencë për media lidhur me projektligjin për inspektime të propozuar nga Qeveria e Kosovës. (Zyra e PSD-së, në rrugën Bajram Kelmendi, ora 13:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' mbahet akademie e Flakës 2022. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 17:00)

 

- Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, shkëlqesia e Tij, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, organizon Akademinë Përkujtimore në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë, ora 17:00)

- Hapet ekspozita kolektive e artit pamor. (Galeria e qytetit të Gjilanit, ora 19:00)