19 Mars 2024

Oda e Veterinerëve kërkon hapjen e infermierisë veterinere

Prishtinë, 3 janar - Ndërsa për shumë vende nuk është i panjohur infermieria e veterinarisë, një ide e tillë ka dalë edhe nga Oda e Veterinerëve e Kosovës, për të cilën konsiderojnë se hapja e një dege të infermierisë së veterinarisë është e nevojshme për mbështetjen praktike të veterinerëve.

Për nxënësin e klasës së dymbëdhjetë të ShMAT “Abdyl Frashëri”, drejtimi veterinari, Blend Tahiri, një fakultet i tillë është më se i mirë se ardhur.

“Paralelisht me nevojat e tregut duhet të shkojë edhe arsimi profesional. Në Kosovë sektori i blegtorisë i cili po zhvillohet dhe ka premisat për një të ardhme të mirë, ka nevojë për kuadro profesionale dhe në këtë rast për infermierinë. Duhet pasur parasysh që kafshët duhet të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme për këtë duhet paralelisht veterinari i cili kontrollon gjendjen dhe infermieri i cili duhet të kryejë punën e teknikut”, tha ai për odavet.org, duke e konsideruar si një ide të mirë.

Në Odat e Veterinerëve të vendeve të jashtme janë përfshirë edhe kjo kategori ndërsa tek ne ende jo edhe pse konsiderohet si drejtim profesional.

Për Behar Zymberi, teknik veteriner, i cili punon në “Veterina Farm” në Ferizaj, një nismë të tillë, fakulteti i infermierisë veterinere, është një nismë e duhur dhe mjaft produktive.

“Jo që duhet mbështetur, por me dëshirë do të isha ndër të parët studentë. Shpresoj se kjo ide do të shqyrtohet dhe të fillojnë procedurat për hapjen e kësaj dege mjaft produktive për cilësinë e mjekësisë veterinere në vendin tonë”, tha ai për odavet.org.

Anëtari i OVK-së, DMV. MSc. Dardan S. Pozhegu, specialist për kafshët e shoqërimit dhe president i KSAVA, duke arsyetuar idenë e tij të hedhur, e arsyetoi me nevojën e jashtëzakonshme për të qenë në ndihmë të veterinerëve.

“Përgatitja e teknikëve veterinerë dhe avancimi i tyre, për të qenë në krah të veterinerëve në punën ditore me kafshë në klinikat e tyre. Veçanti klinikat e kafshëve të shoqërimit kanë nevojë të jashtëzakonshme për teknik të përgatitur për të qenë ndihmë e veterinerëve”, tha ai për odavet.org.

Sipas tij, fakulteti mund të na ndihmoj me një program arsimor të paktën 2 vjeçar për avancimin e teknikëve veterinerë.

“Kjo nënkupton ata që e kanë krye ose e kryejnë shkollën e mesme të veterinarisë, të vazhdojnë në një program/vazhdim studimeve për infermier veterine, komplet drejtim/përgatitje profesionale, për punë”, tha ai.

Në Ministrin e Arsimit theksojnë se duhet të ketë paraprakisht një ekspertizë për ta vendosur një çështje të tillë.

Prof. dr. Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i MAShT, tha se, duke qenë që nuk kanë asnjë lloj ekspertize për të vendosur një çështje të tillë, kjo duhet të vendoset nga universiteti.

“Në shëndetësinë humane, zakonisht fakulteti i mjekësisë dhe i infermierisë janë të ndarë, por ja që te ne janë një”, tha ai për odavet.org, duke sugjeruar që OVK duhet të udhëzojë si të vepron ministria.

Prof. dr. Kurtesh Sherifi, prorektor për kërkime shkencore në UP, njëherësh mësimdhënës në FBV, lidhur me programet e reja që propozohen në UP, në këtë rast për “infermieri veterinare”, tregon se kërkesa vjen nga Departamenti i Mjekësisë Veterinare për Këshillin e Studimeve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe vendim merr Këshilli i FBV-së, i cili i cakton bartësit e programit të propozuar dhe komisioni fillon me përgatitë plan programin.

Sipas tij për këtë duhet të merret një model i vendeve të BE-së.

“Kërkesa nga FBV përcjellët në Komision për Cilësi në UP, Senat dhe Agjencionin e Kosovës për Akreditim. Është një rrugë e gjatë dhe e komplikuar”, tha ai, për odavet.org, duke qenë që rektorati nuk merret me këto kërkesa, por departamenti i mjekësisë veterinare.

Njëri nga kuadrot e para i angazhuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Prof. Ass. dr. Fatgzim Latifi, e ka mirëpritur një kërkesë të tillë.

“Ne kemi staf të kualifikuar për të përgatitur kuadro të tilla”, tha Latifi për odavet.org.

Ai tha se, shumë shpejt do ta inicioj një kërkesë të tillë në organet kompetente.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)