11 Gusht 2022

Në Gjilan nis faza e parë e dezinsektimit hapësinor

 Gjilan, 15 korrik - Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan ka bërë të ditur se më nga sot do të fillojë faza e parë e dezinsektimit hapësinor dhe do të zgjasë deri më 24 korrik.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani, ka njoftuar se dezinsektimi do të bëhet nga ora 19:30 deri në ora 24:00, ndërkaq ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj kohe t’i mbajnë dritaret e mbyllura që të mos futen mushkonjat (insektet) brenda.

“Dezinsektimi fillon nga lagja “Zabeli” gjegjësisht nga kolektori ku zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha në të dy anët e tij deri afër hotelit Kristal. Po ashtu, do të përfshihen lagjet Reshat Ymeri e Dheu i Bardhë."

"Në ditët në vijim do të përfshihen lagjet tjera si, Dardania, Kodra e Dëshmorëve, Arbëria si dhe tërë lagjet e hapësirat tjera të qytetit”, ka thënë Osmani.

Drejtoresha e Shëndetësisë ka theksuar se në zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të mushkonjave (insekteve) sidomos rreth lumenjve, do të bëhet dezinsektimi në këto fshatra: Malishevë, Uglar, Pogragjë, Dobërçan, Përlepnicë, Livoçi i Epërm, Livoç i Poshtëm, Cërrnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë.

Në rast të kushteve të pafavorshme klimatike (shi, erë e fortë) punët do të shtyhen deri në ditën e ardhshme me mot të mirë dhe vazhdon sipas orarit të paraparë.​



Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)