23 Janar 2022

Miratohet Projektligji për Bujqësi dhe Projektligji për Pije Alkoolike

Prishtinë, 10 nëntor - Në mbledhjen e Qeverisë të zhvilluar sot gjatë ditës, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, nga kabineti qeveritar u miratuan dy projektligje, Projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Projektligji për Pije të Forta Alkoolike.

Të dy këto projektligje vijnë me qëllim të realizimit të objektivave për të përmirësuar qasjen në bujqësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të legjislacionit dhe modernizimin e legjislacionit në përgjithësi në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Albin Kurti është fokusuar në angazhimin e Qeverisë për të siguruar rritje dhe mbështetje të fuqishme të sektorit të bujqësisë në vend.

“Nëpërmjet politikave afatgjata dhe shtimit të buxhetit, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u siguruar, që të përkrahë sektorin e bujqësisë, si është më së miri e më sigurt, duke e rritur përkrahjen për fermerët tanë.", ka theksuar ai.

Kjo përkrahje e madhe sipas tij do të gjejë mbështetje dhe siguri në legjislacionin duke filluar me Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilin e kemi në rend të ditës.

Qeveria sipas tij ka filluar nga adresimi i obligimeve të trashëguara ndaj fermerëve, që ishin rreth 40 milionë euro dhe e kemi rritur buxhetin për bujqësi.

Dy javë më parë, me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, lansuam bashkë masat për investimin në shtim të prodhimtarisë dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese.

Krahas buxhetit të ri e të rritur, me zero obligime financiare karshi fermerëve, Kosova, vitin e ri e fillon me Strategji shtatë vjeçare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Strategji 10 vjeçare për Pylltari. Pra, buxhet më të madh dhe orientim afatgjatë, me kritere të qarta e transparente për të gjithë.

Me buxhetin e ri për vitin 2022, do të realizohet përkrahja më e madhe ndonjëherë, me 70 milionë euro. E bashkë me përkrahjen nga Komisioni Evropian dhe donatorë të tjerë, në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në total do të investohen afërsisht 100 milionë euro.

Ai ka falënderuar qytetarët për kontributin në buxhetin e Kosovës, donatorët nga Komisioni Evropian, Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë FAO, USAID-in, GIZ-in dhe kontribuuesit e tjerë.

Nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, qeveria ka aplikuar në Programin për Bujqësi Globale dhe Siguri Ushqimore (GAFSP) për grantin prej 20 milionë eurosh, mbështetje për fermerët e vegjël, të cilët janë ndihmuar pak deri më tani.

Pra buxhet mbi 100 milionë, strategji afatgjatë, lehtësime dhe shërbime të subvencionuara, treg dhe transparencë.

"Do t’i kemi së paku edhe 10 milionë euro për rezerva shtetërore, që mund të mbushen me prodhime vendore."

"Prezantova vetëm buxhetin e shtetit dhe mbështetjen ndërkombëtare, pa përmendur kompanitë private, që po investojnë në sektorin e bujqësisë e në industrinë agro-ushqimore", ka theksuar Kurti.

Investitorët e huaj synojnë të investojnë afro 350 milionë euro në projektet si “Parku i Integruar Teknologjik Bujqësor i Kosovës” me investime që do të jenë në sisteme hidroponike, Institut Bujqësor Hulumtues, dhe gjenerim të energjisë alternative.

Qeveria Kurti mirëpret çdo investim, vendor apo të huaj dhe ju bëj thirrje: investoni e bashkë-investoni në Kosovë!

"Dua t’i siguroj të gjithë bujqit tanë, se e gjithë kjo përkrahje në vlerë të madhe, si dhe donacionet e siguruara nga miqtë tanë ndërkombëtarë, do të përfundojnë vetëm tek ata, të cilët me të vërtetë merren me aktivitete bujqësore. Dhe Kosova në këtë mënyrë të ketë fermerë dhe produkte për t’u krenuar me to. Projektligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, draftin e të cilit do ta shqyrtojmë sot, do të jetë garanci shtesë për këtë”, ka thënë kryeministri Kurti në fjalën e tij të hapjes.

“Projektligj për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i përcakton politikat kombëtare për bujqësinë dhe zhvillimin, planifikimin, masat e politikave bujqësore; masat për bujqësi të integruar, prodhimin organik, standardet e cilësisë dhe marketingut, bazën e të dhënave, regjistrat, monitorimin dhe raportimin në bujqësi, mbështetjen institucionale në bujqësi, kontrollin administrativ, masat e menaxhimit të rrezikut në bujqësi dhe restaurimit të potencialit të prodhimit bujqësor, partneriteti social e ekonomik në fushën e bujqësisë dhe inspektimit në teren të zbatimit të masave të politikave bujqësore, në nivel sa më të avancuar si në aspektin profesional ashtu edhe praktik”, shtoi ministri Peci.

Sa i përket Projektligjit për Pije të Forta Alkoolike, ministri Faton Peci para Kabinetit Qeveritar theksoi rëndësinë e aprovimit të tij duke thënë se ky Projektligj synon të rregullojë çështjet që kanë të bëjnë me regjistrimin, prodhimin, përpunimin, mbrojtjen e treguesve gjeografikë dhe cilësisë, përshkrimin, prezantimin si dhe etiketimin, importimin, tregtimin e brendshëm dhe eksportimin e  pijeve  alkoolike.

Vlenë të theksohet se të dy këto veprime legjislative janë në vijë të plotë me përkushtimin e prioriteteve të Qeverisë për vendosjen e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit dhe zbatimin e politikave zhvillimore në sektorin e bujqësisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2022

- Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” do të mbahet Festivali i dramës origjinale shqipe “Talia 2022”. (Teatri qytetit të Gjilanit, ora 18:00)