04 Dhjetor 2022

Ministri Peci: Përmes politikave të duhura avancojmë bujqësinë në Kosovë

Prishtinë, 7 tetor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë pjesë sot në eventin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane me temën “Politikat Shtetërore në Mbështetje të Bujqësisë”.

Gjatë diskutimeve në këtë event, Ministri Peci ka prezantuar para pjesëmarrësve politikat bujqësore të Qeverisë së Kosovës, ku ka theksuar se gjatë këtij mandati do të angazhohen që përmes mekanizmave shtetërorë, avancimit të legjislacionit aktual, si dhe politikave të duhura zhvillimore të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e  veprimtarive bujqësore, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë, si një prioritet i së ardhmes për zhvillim ekonomik të vendit.

“Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes programeve dhe politikave mbështetëse për fermerët dhe prodhuesit vendor do të vazhdojë, duke i kontribuar rritjes së prodhimit dhe cilësisë për të gjitha prodhimet vendore."

"Po ashtu, gjatë këtij viti kam ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e Auditorit edhe sa i përket hartimit të kritereve dhe planifikimit të buxhetit për Programin  e Pagesave Direkte”, ka thënë Ministri Peci.

Po ashtu, ai ka treguar se përmes programeve mbështetëse po krijon mundësi të reja përkrahëse për fermerët aplikues.

“Në kuadër të programit mbështetës të këtij viti kemi rritur përkrahjen për perimtarë, si dhe kemi ndërmarrë veprimet që orientojnë subvencionimin mbi bazën e rendimentit."

"Ndërkaq, risi tjetër e këtij programi është edhe mbulimi i Primës së Sigurimit në vlerën prej 75 për qind për 6 kultura bujqësore për fermerët që vendosin t’i sigurojnë kulturat bujqësore”, tha ndër tjerash Ministri Peci.

Ndryshe, gjatë këtij bashkëbisedimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, pjesëmarrës ishin përfaqësues të agrobizneseve vendore, si dhe konsulent të sektorit të bujqësisë, e të cilët në këtë tryezë patën mundësinë që shqetësimet e tyre t’i bashkëbisedojnë me Ministrin Peci, e i cili shprehu vullnetin dhe gatishmërinë që të adresojë shqetësimet dhe barrierat me të cilat përballen këta të fundit, bazuar në ligjet në fuqi.

-- 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)