30 Nëntor 2022

Ministri Peci në takimin e 16-të Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore

Podgoricë, 15 nëntor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po qëndron në Mal të Zi në kuadër të Takimit të 16-të Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore në bashkëpunim me Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (RRD SWG).

Ministri Peci iu përgjigj ftesës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural institucion ky i cili i mikpriti homologët e vendeve të rajonit dhe me ç’rast edhe mori udhëheqjen zyrtare të këtij grupi.

Gjatë ditës së sotme, Ministri Peci realizoi një takim me homologun e tij gjerman, njëherit mik i dëshmuar i Kosovës, Ministrin e Ministrisë Federale për Bujqësi dhe Ushqim, Cem Özdemir, ku edhe njëherë u konfirmua gatishmëria e shtetit gjerman në mbështetje të sektorit të bujqësisë në Kosovë, në shumë projekte dhe ide që me këtë rast ia prezentoi Ministi Peci.

“Biseduam për përkrahjen direkte të qeverisë gjermane karshi avancimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë, me ç'rast edhe e falenderova Özdemir për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE e më specifikisht në përafrimin e politikave të përbashkëta bujqësore, projekte konkrete me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural, agroturizmin, sektorin e pylltarisë dhe politikat që fokusojnë zinxhirin e vlerës në zonat rurale” u shpreh pas këtij takimi Ministri Faton Peci.

Tutje, Ministri Peci e pranoi ftesën nga Ministri Özdemir për pjesëmarrjen në Forumin Global për Ushqimin dhe Bujqësinë, i cili do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, me ç’rast Ministri Peci do të ketë mundësinë për ta adresuar progresin, politikat dhe hapat e ndërmarrë për t'u ballafaquar me sfidat me të cilat përballet sektori i bujqësisë në Kosovë.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 nëntor 2022

- Iniciative për Drejtësi dhe Barazi INJECT dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet IKS organizojnë diskutimin publik për iniciativat e reja ligjore për Mbrojtjen e Grave. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Kosova Women 4 Women  në bashkëpunim me Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Prishtinës organizon konferencën "Politikat në veprim kundër dhunës në baza gjinore". (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë shqyrton kërkesën për shtim të mjeteve buxhetore për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë në Projektligjin për Buxhet për vitin 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me Fabian Salvioli raportues special i OKB-së për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me GIZ Kosova, Universitetin e Prishtinës dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare organizojnë ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të Panairit Kombëtar të Punës, Karrierës dhe Ndërmarrësisë. (Salla “1 Tetori”, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportet lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore organizon edicionin e dytë të Forumit të OZhQ-ve me titull ‘Koordinimi në mes të nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes për zbatimin e Agjendës 2030'. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon konsultimin publik me qytetarë për planin e Mobilitetit Urban në Rahovec. (Hotel Park Plaza, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, nga fushëveprimi që mbulon Komisioni për Legjislacion. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban Kuvendin e VIII Zgjedhor Qendror. (Hotel Amazona, ora 11:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit​ të Republikës së Kosovës në të cilën do të paraqitet në interpelancë me kryeministrin, Albin Kurti për çështjen: "Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport mesituatën e krijuar në vend". (Kuvendi i Kosovës, ora 11:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Komunën e Kamenicës me ç ‘rast do të​ takohen me Kryetarin, Kadri Rahimaj. (Komuna e Kamenicës, ora 12:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të vizitojnë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, "Xhavit Ahmeti" në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës. (Objekti i Shkollës në fshatin Hodonoc, ora 13:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 14:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci do të jenë afër grave që udhëheqin biznese, znj. Ibadete Sadiku, znj. Kadrije Mustafa dhe znj. Emine Kërhanaj. (Kamenicë, ora 15:00)